Perspektiva e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian zbehet, pasi Brukseli nuk parashikon që kjo të ndodhë deri në vitin 2025. Ndërkohë që brenda këtij afati, parashikohet anëtarësimi i Serbisë dhe Malit të Zi.

Në një letër që Presidenti i Komisionit europian, Zhan Klod Junker i dërgon Presidentit të Parlamentit Europian, Antonia Tajanit dhe presidencës estoneze, ndërsa renditen prioritetet e unionit deri në vitin 2025, Junker shprehu synimin për të nisur

“një strategji për një aderim të suksesshëm në BE të Serbisë dhe Mali i Zi si kandidatët kryesorë në Ballkanin Perëndimor, me një perspektivë deri në vitin 2025, si një nga nismat për ta bërë Bashkimin një aktor më të fortë global.

Ndërkohë që edhe Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn ka deklaruar në forumin e Beogradit se Mali i Zi dhe Serbia janë dy vendet e Ballkanit më pranë BE-së.

Hahn nuk përmendi direkt si kusht njohjen e Kosovës shtet nga Serbia, por tha se serbët duhet të gjejnë zgjidhje në dialogun që po ecën me Prishtinën. Serbia, sipas zyrtarëve evropiane, mund të jetë gati të anëtarësohet në BE deri në vitin 2025, si pjesë e strategjisë së zgjerimit.

Ndërsa për Serbinë dhe Malin e Zi është hapur një dritë jeshile, për Shqipërinë, Kosovën, Maqedonisë dhe Bosnje-Hercegovinës, nuk duket as një shpresë për të qenë pjesë e Bashkimit Europian, të paktën deri në vitin 2025, çka do të thotë që dhe për 8 vite, porta e anëtarësimit është e mbyllur për vendin tonë.

Vetë Ministri Bushati përmendi si kohë, të paktën dhjetë vjet të tjera për anëtarësimin e plotë në BE të vendit tonë kur foli në takimin e ministrave të jashtëm të rajonit.

Burimi: KLAN PLUS

Gazetar: Vladimir Lame