Duke u përqendruar tek sjelljet e fëmijëve dhe adoleshentëve, në një lidhje direkte me emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan, i ashpër ishte qëndrimi i psikologes Denada Toçe, e cila hodhi një shikim të rreptë dhe tek prindërit.
Sipas saj janë pikërisht prindërit dhe edukata që ata u japin adoleshentëve që në fëmijëri, e cila pasqyrohet më vonë gjatë rritjes. Psikologia tha se prindërit në vend që të përpiqen të kuptojnë ndjenjat e fëmijëve të tyre, bëhen rregullatorë artificialë të asaj se çfarë fëmijët duhet të ndjejnë.
Denada Toçe tha se janë vetë prindërit ata të cilët u përkëdhelin egon fëmijëve, duke u treguar se çfarë duhet të bëjnë, si të veprojnë dhe si duhet të ndjehen.
“Fëmijët janë burimi kryesor i një adoleshence të shëndetshme dhe në atë fëmijërinë e hershme ne si prindër bëjmë disa gabime nga mënyra se si i edukojmë. Këto i kemi dhe të trashëguara kulturalisht. Për shembull interesi që ne kemi për ndjenjat e fëmijëve, nuk mendoj se jemi ende shumë mirë të ‘stërvitur’ që të kujdesemi se si fëmijët ndihen gjatë raporteve që kanë gjatë ditës. Ne nuk kujdesemi ndonjëherë dhe për fragmente shumë elementare të jetës së përditshme, kur duam që t’i bëjmë një tranzicion nga një vend në tjetrin. Nuk i shpjegojmë fëmijës se çfarë mund të ndodhë, ose se si mund të ndihen, apo se çfarë i pret.
Ne përkundrazi kujdesemi për egon e fëmijës se si ai do duhet të ndihet më mirë ndaj një fenomeni që e përjeton keq. Pra ne jemi aty rregullatorë artificialë të ndjenjave të fëmijës duke i treguar çfarë duhet bërë, si duhet ta bëjë, çfarë duhet t’i thotë shokut, si duhet të reagojë me të, si duhet t’i tregojë karakterin e tij të fortë, kur të gjuan duhet t’i gjuash, kur ta kthen fjalën edhe ti ta kthesh dhe kur të shajnë t’i shash. Ne përveçse stimulojmë ndëshkimin, stimulojmë egon e fëmijës”, tha Denada Toçe./tvklan.al