Presidenti Ilir Meta tha se kriza që po kalon vendi është krizë e shtetit të së drejtës dhe jo krizë mes mazhorancës dhe opozitës, ndaj si President i Republikës ai tha se ka përgjegjësi të ndërhyjë, sidomos në momente krizash, për të bërë sipas tij më të mirën e mundshme. Gjatë konferencës për shtyp ku propozoi që më 13 Tetor, përveç zgjedhjeve vendore të mbahen edhe zgjedhje të përgjithshme dhe ato për president, Meta u pyet nga gazetarët nëse po fliste si kryetar i opozitës.

Gazetarja: A po flisni si kryetar i opozitës kur thoni që jeni gati të prisni, të zgjidhni krizën, sepse kriza në fakt është mes opozitës dhe mazhorancës…

“Jo nuk është kështu. Kjo është një krizë e shtetit të së drejtës, edhe kryetari i shtetit është Presidenti i Republikës, nuk është kryetari i qeverisë. (Presidenti) që ka përgjegjësi për unitetin e popullit shqiptar, që ka përgjegjësi për pluralizmin politik, mbi të cilin ndërtohet gjithë sistemi ynë kushtetues dhe që ka përgjegjësi sidomos në momente krizash, sikurse jemi për fat të keq, të bëjë më të mirën, të marrë çdo përgjegjësi që shqiptarët të mos përplasen dhe të mos vriten me njëri-tjetrin, aq më tepër për politikë.

Për të argumentuar këtë, kreu i shtetit tha se ndryshe nga opozita, ai nuk i ka kërkuar Kryeministrit të heqë dorë nga posti që mban, por ka kërkuar prej tij reflektim.

“Opozita ka axhendë “Rama ik”, unë e kisha “Rama reflekto”. Nuk i kam thënë Ramës të ikë. Opozita ka “i duam të gjitha bashkë”, ose e kishin përpara. Unë e kisha “Edi, ne e dimë shumë mirë, pavarësisht se disa nga këta ambasadorët e BE-së që janë këtu nuk e thonë, se edhe ti nuk i lë që ta thonë atë që duan të thonë, që pa zgjedhje lokale me gjithë opozitën dhe me standarde më të mira se ato që kanë qenë, ne nuk na çelen negociatat”.  Nuk i kam kërkuar që t’i lërë karrigen Lulit apo dikujt tjetër, apo ndonjë histori tjetër që është në planet e opozitës.

Sa i përket opozitës, Meta thotë se nëse kjo e fundit do t’i kishte dëgjuar më parë këshillat e tij, në zgjedhjet e 30 Qershorit sipas tij, nuk do të kishin dalë as 5 përqind e shqiptarëve.

“Bashës dhe opozitës i kam thënë që të mos i shmangen institucioneve, edhe kur ishin në parlament i kam thënë që Millosheviçi ka ikur me vota dhe ata duan të jenë të lumtur për atë që ndodhi ditën e diel. Po t’i kishin dëgjuar më parë më parë këshillat e mia, që në vend të fishekzjarrëve të përdornin dajre shumë më mirë do kishin dalë dhe as 5% e shqiptarëve nuk do të kishin vajtur kur ishin ato votimet socialiste, sepse vetë socialistët, se unë jam socialist i vjetër janë njerëzit që kanë bërë më shumë për demokracinë këtu, të themi të vërtetën”.

Meta tha më tej se askush nuk duhet të ketë frikë nga populli.

“Nuk po i kërkoj Edit që lerë karrigen e tij, por mos harroni se përballë jush është një njeri që ka ofruar edhe dorëheqjen e tij nga ky post për zgjidhjen e krizës, jo për të acaruar krizën dhe jo vetëm kaq. Kam qenë i hapur edhe për t’u zgjedhur nga populli. Përse duhet kem frikë unë nga populli? Përse duhet të kemi frikë nga populli ne? Nuk na do populli, nuk na do. Përmirësohemi nëse duam prap, vijmë edhe votohemi prap. Ne nuk do të asgjësojmë demokracinë se kemi frikë nga populli apo nga gabimet tona”./tvklan.al