Erdogan vijon me tonet e ashpra

Nuk foli me emra, por iu drejtua të gjitha vendeve që i dalin kundër Turqisë për aksionin e kërkimit të naftës dhe gazit në Mesdhe. I këshilloi të analizojnë aksionet e forcave të armatosura turke.

“Ata që nuk marrin vesh nga historia dhe duan të na heqin neve të drejtën në Mesdhe dhe Egje, do ta pranojnë të vërtetën. Ata që i dalin kundër Turqisë dhe nuk mendojnë për sigurinë e popullit të vet, po ua them shumë qartë, kam frikë se kur të vijë momenti do ta pësojnë keq. Nuk pranojnë të ulen me ne në tryezë, por na kërcënojnë me ushtarë të lodhur dhe gjysmak. Po e lë mënjanë historinë. U këshilloj që të analizojnë mirë lëvizjet tona diplomatike dhe aksionet ushtarake.

Erdogan bëri një thirrje edhe për Bashkimin Europian.”

Bashkimi Europian duhet të ndajë se kush ka të drejtë dhe kujt i takon e drejta. I ftoj që të mos jetë i verbër dhe të shikojë ata që na sulmojnë neve. Shtetet e Bashkimit Europian nuk e kaluan provimin në Qipro, Siri dhe Libi. Urojmë që të paktën të bëjë diçka të mirë në Mesdhe. Turqia do ti mbrojë kufijtë e saj dhe nuk do të tërhiqet nga e drejta që ka në Mesdhe. Jemi të vendosur deri në fund për këtë”.

Ditët e fundit vëmendja është përqendruar te ishujt Meis dhe Simi, më të afërmit me territorin turk, por që i përkasin Greqisë. Sipas autoriteteve turke, në këto ishuj Athina çon trupa të armatosur ndërsa diçka e tillë është në kundërshtim me marrëveshjet e Lozanës dhe Parisit. Ndërkohë kërkimet në Mesdhe pavarësisht kundërshtimeve të Greqisë dhe BE-së janë zgjatur deri në 22 Shtator.

Klan Plus