I riu përfaqësues i Shqipërisë në Lojërat Olimpike në disiplinën e karatesë
Edi Rama: Mirë se erdhe, Alvin.
Alvin Karaqi: Mirë se ju gjeta, Kryeministër. Faleminderit për ftesën!
Në episodin e fundit të sezonit të parë të podkastit “Flasim”, kryeministri Rama ftoi Alvin Karaqin, kampionin i cili ngriti flamurin e Shqipërisë dhe mori medaljen e artë në Lojërat Olimpike Evropiane në karate. Megjithatë i riu shqiptar me origjinë nga Kosova por që jeton në Zvicër punon atje edhe si mjek.
Edi Rama: Dhe pastaj studiove mjekësi, dhe aty prapë shkëlqyeshëm. Çfarë studiove, mjekësi të përgjithshme?
Alvin Karaqi: Po, studiova mjekësi të përgjithshme. Pastaj punova një vit në Kosovë dhe vendosa të filloj specializimin e kirurgji-traumatologjisë në Zvicër se Zvicra është ndër shtetet me kualitetin më të madh të kirurgjisë së traumës edhe në fakt, teknikat më të mira edhe më të reja të këtyre operacioneve janë zbuluar në Zvicër, kështu që pse jo, të bëhem edhe kampion ..
Edi Rama: Po tani vazhdon?
Alvin Karaqi: Po, jam mjek aktiv, punoj deri në 70 orë në javë paralelisht.
Edi Rama: Ku punon?
Alvin Karaqi: Jam në spitalin kantonal të Arahut në Zvicër që është ndër 5 qendrat më të mëdha të traumës në Zvicër.
Në podkastin e tij Rama e pyeti kampionin shqiptar për lidhjen e tij me Shqipërinë.
Edi Rama: Është shumë ndjesi e fortë ajo e himnit që këndohet ne çdo rast por kur ke fanellën e kombëtares, unë e kam provuar edhe kur unë kam qenë herën e parë me kombëtaren në Gjermani edhe kur u këndua himni ishte diçka shumë e fortë, shumë-shumë e fortë. Po me Shqipërinë, jo me flamurin, me Shqipërinë si i ke marrëdhëniet?
Alvin Karaqi: Unë i kam me Shqipërinë shumë mirë. Unë pushimet verore i kaloj gjithmonë në Shqipëri.
Edi Rama: Ku shkon?
Alvin Karaqi: Tash këto vitet e fundit në Dhërmi.
Rama u ndal edhe tek të rinjtë që duan të ndjekin ëndrrat e tyre dhe Alvin Karaqi dha këtë mesazh.
Edi Rama: Çfarë do ti thoshe ti si një i ri që sot je në majën e Europës dhe që e ke nisur nga rrugicat me muret me vrima plumbash në Prishtinë.
Alvin Karaqi: Do të thoja vetëm fjalën ‘’Mos u dorëzoni’’ do të jetë klisheja e gjithë sportistëve që e thonë një fjalë goje dhe përfundon me kaq. Mirëpo, ta marrin karrierën time si shembull, për ti motivuar fëmijët është karrierë pak ndryshe sepse kam qenë dhe student i mjekësisë dhe kam pasur ato obligimet e mia, por mirëpo që jam bërë kamion, kryesor ka qenë fati, por nuk ka qenë fati në garë, por ka qenë fati që kam pasur një familje shumë mbështetëse. )
Në përmbyllje të bisedës Kryeministri e ftoi kampionin Alvin Karaqi të vijë sërish në Shqiqëri pasi do t’i dorëzohet medalja e mirënjohjes për kontributin që ka dhënë në ngritjen e flamurit shqiptar nëpër botë.
Klan News