Pa të prekur gjatë 28 ditëve

Mali i Zi duket se ka për të qenë, pas Sllovenisë, vendi i parë nga Ballkani Perendimor që do të përshëndetet edhe zyrtarisht me pandeminë e koronavirusit që në këtë shtet prej rreth 600 mijë banorësh mori jetën e 9-të personave.

Është doktor Senad Begiç, një ndër drejtuesit e Institutit të Shëndetit Publik ai që e ka paralajmëruar këtë mundësi mëngjesin e së martës duke thënë se as dje nuk ka pasur raste të të infektuarve brenda dy periudhave të inkubimit.

“Dy inkubime, pa raste të reja flasin se me të vërtetë janë pjekur kushtet që epidemisë t’i jepet fund”, transmeton Tv Klan Macedonia deklaratën e dr. Begiçit për televizionin shtetëror malazez duke tërhequr vërejtjen se prapësëprapë disa masa, varësisht nga gjendja në terren, do të mbeten në fuqi.

“Këto janë tri grupet e masave që kanë të bëjnë me distancën fizike, higjienën e duarve dhe përdorimin e maskave. Në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe nëpër shumë vende të botës mbajtja e maskave është e detyrueshme, si dhe tek ne, pra nëpër mjediset e mbyllura, publike, ku nuk mund të ruhet distanca fizike prej dy metrash”.

Zyrtari i shëndetësisë malazeze ka rikujtuar se hapja e kufijve rrit shkallën e rrezikut gjithnjë përderisa epidemia të mos shuhet në mbarë botën, por ai la të kuptohet se tani është më lehtë për shkak se, sikundër u shpreh, “e dimë se me çfarë kundërshtari kemi të bëjmë dhe jemi të më të përgatitur për t’u përballur me të”.

Rrjedhimisht, nga paraqitja e virusit COVID-19, në gjysmën e dytë të muajit Mars, Mali i Zi ka të regjistruar 324 të infektuar dhe 9-të viktima.

Klan Macedonia