Rudolf Marku merr vlerësimin nga Qendra Kombëtare e Librit

Për herë të parë, Qendra Kombëtare e Librit ka një institucion në brendësi të saj që quhet “Poet Laureat”,  një praktikë e njohur kjo në vende si SHBA, Mbretëri e Bashkuar, Kanada, Gjermani, Holandë, etj. Qëllimi i këtij vlerësimi është ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e leximit të poezisë.

Nën një re poetike, kuruar nga artisti Ergys Krisiko, u shpall mbrëmë në hapësirat e shndërruara të Ministrisë së Kulturës, “Poeti Laureat 2020”.

Komiteti drejtues i këtij projekti të rëndësishëm për botën letrare shqiptare, kryesohej nga shkrimtari dhe poeti Besnik Mustafaj dhe në përbërje të tij janë: botuesja Arlinda Dudaj, Agron Gjekmarkaj, zv.Dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në UT, profesorja dhe poetja Viola Isufaj dhe kritiku Agim Baçi.

Besnik Mustafaj, kryetar i Komitetit Përzgjedhës shprehet që vepra është e ndarë nga jeta dhe se poetët gjatë procesit të votimit nuk janë gjykuar nga e shkuara.

E pranishme në këtë event të rëndësishëm ishte edhe Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila theksoi se poezia ashtu sikurse edhe zhanret e tjera gjatë këtyre viteve kanë marrë një vëmendje shumë të veçantë.

Me motivacionin: “Ka arritur të ndërtojë një vepër të pasur dhe koherente përtej konteksteve historike, politike dhe gjeografike në të cilat ka jetuar poeti, duke shprehur me gjuhën e përshtatshme atë çka është e qëndrueshme te njeriu”, Rudolf Marku u shpall “Poeti Laureat shqiptar” .

Përgjatë dy viteve, 2020-2022, ai do të jetë në krye të një fushate për të promovuar poezinë shqipe.

Klan Plus