Paul Pogba duhet të qëndrojë 4 vite larg futbollit pasi është pranuar kërkesa e Prokurorisë së Antidopingut. Mesfushori rezultoi pozitiv me testosteron në kontrollin e krye më 20 Gusht pas ndeshjes Udinese – Juventus ku francezi qëndroi në stol.

Një kohë e gjatë që do të cënojë karrierën e Pogba që më 15 mars mbush 31 vjeç. Marrja aksidentale e substancës së ndaluar ishte një nga pikat ku përfaqësuesit ligjor të Paul Pogba ngritën tezën e tyre, ndërsa nuk pranuan bashkëpunimin që mund të përgjysmonte dënimin.

Vitet e fundit mesfushori francez ka patur probleme me dëmtimet që e kanë kushtëzuar shumë në karrierën e tij, duke munguar edhe në Botërorin e 2022. Paul Pogba është aktivizuar me Juventus dhe Manchester United ku ka fituar trofe kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Me Francën u shpall kampion bote në 2018.

Tv Klan