Francezi nis rehabilitimin në palestër e pishinë, mungon 5 javë

Pol Pogba nuk ka nevojë për t’iu nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Ky është vendimi i marrë nga stafi mjekësor i klubit të Juventusit, që pas ekzaminimeve të detajuara kanë dalë në përfundimin se 29-vjeçarit nuk i duhet operacioni.

Madje, rikuperimi i francezit po shkon më mirë nga sa ishte parashikuar dhe mund të stërvitet me bardhezinjtë shumë shpejt. Pogba do t’i nënshtrohet një regjimi trajtimi të bazuar në palestër dhe pishinë, e cila ka të ngjarë të zgjasë për të paktën 5 javë.

Mesfushori pësoi dëmtim gjatë një seance stërvitore në turneun parasezonal të klubit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai u paraqit në ndeshjen e parë të Juves kundër skuadrës meksikane Chivas Guadalajara, por u ankua për dhimbje në gjurin e djathtë, i cili rezultoi se kishte dëmtim të meniskut.

Francezi rrezikonte të mungonte nga 2 deri në 5 muaj, duke lënë në pikëpyetje prezencën e tij në Botërorin e Katarit, programuar për t’u mbajtur nga 21 Nëntori deri më 18 Dhjetor. Pogba iu bashkua Juventusit në këtë merkato vere si një futbollist i lirë pas skadimit të kontratës me Manchester United.

Klan News