Piloti spanjoll ishte me i shpejti në provat zyrtare të çmimit të madh të Japonisë

Gjashtë herë kampioni i MotoGP Mark Markez siguroi pole-positionin e tij të parë në tri vite në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Japonisë.

Piloti i Hondës realizoi kohën 1:55.214 në Motegi, ndërsa Fabio Quartararo me Yamahan e tij doli në vend të nëntë.

Spanjolli mori pole-position pikërisht në të njëjtën pistë që ai e kishte arritur për herë të fundit në vitin 2019, ndërsa synon që t’i rikthehet sukseseve në MotoGP, pas problemeve fizike që ka pasur në vitet e fundit.

Në Çmimin e Madh të Spanjës në 2020, spanjolli theu dorën e pati shqetësime të vazhdueshme, e u detyrua që t’i nënshtrohej disa operacioneve.

Pas Çmimit të Madh të Italisë në Maj, ai mungoi në gjashtë raunde, por u kthye në pistë në Aragonë javën e shkuar.

Në vend të dytë, në Çmimin e Madh të Japonisë do të niset piloti i Pramac Ducati-t Johan Zarco, ndërsa ai Red Bull KTM, Brad Binder do të plotësojë radhën e parë.

Piloti i Dukatit Francesco Bagnaia, që ka 10 pikë më pak se sa kryesuesi Quartararo në renditjen e përgjithshme, nuk ishte në ditën e tij më të mirë e do ta nisë i 12.