Real Madrid mundi 3 – 1 Napolin me përmbysje në sfidën e parë të fazës së 1/8 të Champions League, e zhvilluar mbrëmë në “Santiago Bernabeu”.

Hysaj luajti të gjithë sfidën, por vuajti presionin e sulmit të spanjollëve. Në përfundim të sfidës pati polemika në distancë mes presidentit të napolitanëve De Laurentiis dhe trajnerit Sarri.

“Nuk jam dakord me disa zgjedhje të trajnerit, por nuk flas. Unë kam shpenzuar para për futbollistë të cilët nuk i kam parë në fushë. Për mua vetëm Insigne ka treguar karakter,” tha Aurelio De Laurentiis, President i Napolit.

 

Ndërsa trajneri Sarri tha se

“opinioni i presidentit është i rëndësishëm, por zgjedhjet çdo ditë i bëj unë. Do të doja që komente të tilla të mi thoshte mua. Kemi gabuar shumë nga ana teknike. Në ndeshjen e kthimit do të përpiqemi ta përmbysim.”

Në takimin tjetër të së mërkurës Bayern fitoi thellë 5 – 1 me Arsenalin në Mynih. Anglezët luajtën vetëm një pjesë, në të dytën ishin lojtarët e ekipit gjerman që zotëruan në fushë. Një sukses që e bën kualifikimin e ekipit gjerman në çerekfinale thuajse të sigurt edhe pse duhet të luhet ndeshja e kthimit./Tv Klan