Tridhjetë e dy (32) të arrestuarit që trafikonin emigrantë drejt SHBA, Kanadasë dhe Anglisë nuk janë të vetmit pjesëtarë të grupit kriminal të goditur të shtunën në operacionin “Rruga e Gabuar” që u shtri në disa qytete.

 

Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda bëjnë me dije se janë identifikuar edhe të tjerë persona, ndër ta punonjes policie por edhe të zgjedhur vendorë të cilët kanë bashkëpunuar me ta. Operacioni është në zhvillim e sipër dhe priten arrestime të tjera, pasi janë identifikuar punonjës të kufirit që kanë bashkëpunuar me trafikantët. Është faktuar se personat që trafikoheshin nuk regjistroheshin në sistem dhe kjo bëhej me ndihmën e efektivëve të policisë.

Gjatë hetimit prokuroria zbuloi se ky grup ka pajisur me dokumente të falsifikuara edhe elementë kriminalë me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Burimet saktësojnë se një nga personat që ka marrë pasaportë false nga ky grup është Hajri Seferi. Ai u arrestua në Tetor të vitit të kaluar gjatë operacionit “Vol-Vo 4”, ku u goditën 4 grupe kriminale.

Aksioni i shtunës është vazhdim i operacionit “One if by land” zhvilluar në Mars të vitit të kaluar ku për të njëjtat akuza u arrestuan 39 persona dhe u shpallën në kërkim 12 të tjerë. Çdo qytetar që trafikohej nga ky grup paguante një çmim nga 10 mijë Paund për në Mbretërinë e Bashkuar deri në 20 mijë Euro për të kaluar në Amerikë e Kanada.

Tv Klan