Formulari i ri i vetë-deklarimit të punonjësve të Policisë mbi verifikimin e integritetit, synon të largojë çdokënd që devijon nga misioni i ruajtjes së rendit, sigurisë dhe luftës ndaj krimit.

Kështu u shpreh drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, i cili komentoi formularin që efektivët duhet të plotësojnë deri në fund të muajit.

“Integriteti i shëndoshë i punonjësve të Policisë së Shtetit dhe pastrimi i strukturave nga elementë brenda nesh, të cilët shkelin ligjin dhe betimin, është një proces prioritar dhe i rëndësishëm. Askush që cenon besnikërinë ndaj uniformës së shenjtë të Policisë së Shtetit nuk do të ketë vend në strukturat e saj. Kam bindjen e plotë se, organizata e Policisë së Shtetit ka forcën dhe energjinë e duhur pozitive për të izoluar dhe larguar nga radhët e saj çdokënd, që devijon nga misioni i ruajtjes së rendit e sigurisë publike dhe lufta e pakompromis ndaj krimit.”

Punonjësit e kupolës blu duhet të deklarojnë dënimin ose jo me nga autoritetet gjyqësore shqiptare ose të huaja për çështje penale ndaj tyre, shkelje ose jo të rregullave të sigurisë së informacionit të klasifikuar, nëse janë nën hetim, apo ndaj tyre është caktuar ndonjë masë shtrënguese personale.

Gjithashtu punonjësit e policisë duhet të deklarojnë nëse ka patur ndonjë urdhër kërkimi ndërkombëtar apo kombëtar, nëse kanë kontakte apo komunikime elektronike me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Një tjetër pyetje që duhet tu përgjigjen është dhe nëse kanë pranuar apo shkëmbyer para, favore, dhurata apo pasuri me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

Ky është formulari i dytë brenda pak muajt që i dërgohet për plotësim bluve. I pari ishte nëse kanë qenë përdorues të aplikacionit Sky Ecc dhe Encrochat, që rezultoi se efektivët nuk janë përgjigjur siç duhet pyetjeve. Dy zyrtarët Henerigert Mitri dhe Klodian Shahini, tashmë në kërkim dolën përdorues të këtyre aplikacioneve.

Klan News