Testimi për të fituar gradën ‘Komisar’ në Policinë e Shtetit është shtyrë për herë të dytë. Pas anulimit të testit në datë 7 Nëntor me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Ardi Veliu, me argumentin se është cënuar integriteti i testimit me shkrim për shkak të dyshimeve se disa oficerë policie kishin kopjuar, mengjesin e së enjtes 470 efektivët as nuk u futën në sallat e testimit.

Sipas Policisë së Shtetit, ky test nuk u krye për shkak të riformatimit të pyetjeve dhe procedurës së zhvillimit të testit.

Por kreu i sindikatës së Policisë së Shteti e cilëson këtë si një veprim arbitrar, pasi nuk është ndjekur procedura e anulimit dhe e drejton gishtin tek drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

“Ne e konsiderojmë si një veprim arbitrar, nuk mund të penalizohen 470 punonjës policie me një urdhër të tillë. Drejtori i Përgjithshëm të tregojë arsyet e anulimit të testit”.

Edhe ish-drejtuesi i lartë i policisë, Ismail Elezi, përfaqësues i Shoqatës së Policëve të liruar, thotë se përgjegjës është drejtori Ardi Veliu dhe kërkon marrjen e masave ligjore kundër tij. Ai e cilëson atë që po ndodh me testimin për gradat si një rast të paprecedent.

“Nuk mund të fyen në këtë formë 470 punonjës policie. Përgjegjës për këtë situatë është Ardi Veliu, pasi kërkojnë të shpallen fitues njerëzit e tyre. Instancat shtetërore të hetojnë rastin dhe të nxjerrin përgjegjësit”.

470 oficerë policie konkurruan më 7 Nëntor për 133 vende vakante për gradën ‘Komisar’. Konkurentët iu nënshtruan një testi me alternativa të cilat korrigjoheshin nëpërmjet nje pajisje elektronike te quajtur “Skadron” dhe përgjigjia merrej brenda ditës. Testimi i zhvilluar në ambientet e Akademisë së Policisë u monitorua nga afër nga drejtues të lartë të Policisë së Shtetit dhe anulimi i tij ka ngritur dyshime se shkaku nuk është ai që thuhet nga policia. Për këtë arsye, Sherbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka bërë një kallëzim në prokurori, pasi një hetim i brendshëm i këtij organi gjeti shkelje ligjore.

Tv Klan