Kontrollet për kultivimin e kanabisit vijojnë në të gjithë Shqipërinë. Këtë të mërkurë është Policia e Shkodrës që njoftoi evidentimin e 5 rasteve të kultivimit të kanabisit në zona të ndryshme të Shkodrës, Vaut të Dejës dh Malësisë së Madhe.

Uniformat blu thonë se në total kanë gjetur 840 bimë dhe i kanë asgjesuar duke i djegur. Por një pjesë e vogël e tyre është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

“Nga veprimet e shpejta hetimore të Policisë, për njërin nga rastet, është bërë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e njërit prej autorëve të dyshuar, shtetasit F. P., 58 vjeç, banues në fshatin Vig, Vau i Dejës. Vijon puna për kapjen e tij”, njoftoi policia.

Ndërkohë vijojnë hetimet për të kapur personat e tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Siç duket nga kjo video e shpërndarë nga policia për mediat, për evidentimin e drogës janë përdorur edhe dronë. Kultivuesit kanë zgjedhur zona të thepisura malore që janë të vështira për t’u pikasur, e madje për të shkuar deri aty.

Nga pamjet duket qartë vështirësia që u është dashur efektivëve për të mbërritur në zonat e thepisura kultivohet kanabisi./tvklan.al