Përgjimet ambientale urdhërohen vetëm nga oficerët me gradën Komisar

Punonjësit e Policisë mbi moshën 50-55 vjeç pritet të transferohen si roje shkollash. Në Komisionin e Ligjeve, ku po diskutohen ndryshimet në ligjin e policisë, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, tregoi nismën e re, për transferimin e punonjësve të policisë tek siguria në shkolla.

“Qeveria po përpiqet të paraqesë një iniciativë të re lidhur me sigurinë në shkolla. Një pjesë e punonjësve të policisë që kanë qenë në strukturat e ruajtjes së objekteve, të cilët janë në një moshë të thyer, mund të kalojnë në ruajtjen e këtyre objekteve, jo si punonjës policie, por si punonjës të sigurisë të këtyre objekteve, duke ruajtur trajtimin financiar dhe kushtet e tjera”.

Ndërkohë lidhur me përgjimet, Lleshaj u shpreh se do të jenë vetëm ambientale dhe mund t’i urdhërojë një oficer policie me gradën Komisar. Gjithashtu oficerët e policisë pritet të marrin statusin nëpunës civil dhe mund të transferohen në punë administrate, duke hequr dorë nga statusi i policit. Ndryshimet janë miratuar në Komisionin e Ligjeve dhe pritet të kalojnë në Parlament.

Tv Klan