Një efektiv policie ka marrë lëndime të shumta në trup pasi ra në humnerë teksa vijonte punën për kontrollin e territorit në kuadër të goditjes së veprimtarive kriminale për kultivimin e kanabisit. Rrok Frroku, 54-vjeç, nënkomisar në Policinë e Shkodrës ra në një zonë malore mjaft të thepisur në fshatin Shosh të Dukagjinit.

Policia ka njoftuar se pas bashkëpunimit me disa grupe të RENEA-s dhe shërbimeve mjekësore, është bërë e mundur nxjerrja nga humnera e efektivit pas 12 orë përpjekjesh. Megjithatë ai është dërguar në një pikë ku mund të ulet helikopteri apo të bëhet tërheqja e tij me litarë për ta transportuar më pas drejt Tiranës ku të marrë ndihmë mjekësore.

Aktualisht ai po mbahet në mbikëqyrje nga ekipi i urgjencës mjekësore pasi policia thotë se nga pika fundore e rrugës që shkon automjeti deri në vendin ku aktualisht ndodhet punonjësi i Policisë i dëmtuar, është 6 orë me këmbë dhe një terren shumë i vështirë që e bën të pamundur transportimin me krahë të tij./tvklan.al