Lajm i përditësuar

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë. Një punonjës policie humbi jetën mbrëmjen e kësaj të hëne pasi u qëllua me armë zjarri nga kolegu i tij.

Viktima është Çaush Saliasi, rreth 55 vjeç polic i patrullës së përgjithshme. Ai mbeti fillimisht i plagosur dhe u dërgua në gjendje të rëndë në spital, ku dhe ndërroi jetë pak kohë më pas.

Ndërkohë autori i kësaj ngjarjeje është identifikuar si Ludian Zaimi, 25 vjeç. Ai është ndaluar dhe po mbahet në ambientet e komisariatit, teksa autoritetet thonë se po punojnë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Ndërkohë, burime për tvklan.al bëjnë të ditur se dyshimet e para janë që ngjarja ndodhi si pasojë e një konflikti banal mes autorit dhe viktimës.

Çaush Saliasi mësohet se kishte mbi 20 vjet në polici, ndërsa autori Ludian Zaimi iu ishte bashkuar bluve rreth 1 vit e gjysmë më parë.

Policia njoftim për ngjarjen:

“Më datë 23.05.2022, rreth orës 21:20, në rrugën “Mine Peza”, në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në rrethana ende të paqarta, punonjësi i Policisë Ludian Zaimi, ka plagosur me armë zjarri shtetasin Çaush Saliasi, të dy me detyrë oficerë të Patrullës së Përgjithshme. Si pasojë e plagëve të marra, punonjësi i Policisë Çaush Saliasi ka ndërruar jetë në spital.

Grupi hetimor nën drejtimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokurorisë së Tiranës, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Autori i dyshuar është ndaluar dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Në ambientet e Komisariatit nr. 3 kanë shkuar një grup i posaçëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, përfshirë ekspertë të Drejtorisë së Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti i Rendit dhe Sigurisë Publike. Në përfundim të veprimeve të para hetimore do të ketë një njoftim më të plotë për media”, thuhet në njoftimin e policisë./tvklan.al