Ngjarja për motive banale, ndalohet autori

Ky është efektivi i policisë, Çaush Saliasi që mbrëmjen e së hënës u qëllua për vdekje me armën e punës nga kolegu i tij, Ludian Zaimi.

Ngjarja ndodhi rreth orës 21 e 20 minuta brenda ambienteve të Komisariatit Numër 3 të Tiranës kur efektivët po përgatiteshin të  kryenin instruktazhin. Mësohet se mes 2 efektivëve të patrullës Ludian Zaimi, 25 vjeç dhe Çaush Saliasit 55 vjeç ka nisur një debat për motive banale.

Pas fjalëve, i riu Zaimi ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar 6 herë në drejtim të kolegut të tij më të vjetër. 55-vjeçari është dërguar me urgjencë në spital me një makinë policie, por për shkak të plagëve të marra nuk ka mundur të mbijetojë.

Autori është ndaluar nga kolegët e tjerë. Kjo është makina e tij e cila qëndronte e ndezur edhe pas ngjarjes.

Në vendin e ngjarjes mbërritën ekspertë të Agjencisë së mbikëqyrjes policore që po kryejnë hetimet si dhe ekspertë të Drejtorisë së Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti i Rendit dhe Sigurisë Publike.

Ai kishte vetëm 1 vit e gjysmë në radhët e uniformave blu, ndërsa viktima ishte një veteran në Policinë e Shtetit me mbi 20 vite karrierë.

Para hetuesve, efektivi 25-vjeçar ka treguar se kolegu i tij e tallte në vazhdimësi, çka sipas tij është bërë edhe shkak për këtë akt të rëndë.

Tv Klan