Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të mërkure në autostradën Fushë Krujë-Laç. 3 persona kanë humbur jetën ndërsa një i katërt ndodhet në gjendje kritike në spital. Viktimat udhëtonin me një makinë Audi, e cila i ra nga pas një kamioni.

“Më datë 18.03.2020, rreth orës 20:30, në autostradën Fushë Krujë-Laç, një mjet tip “Audi”, i ka rënë nga mbrapa një kamioni me targa Kosove dhe për pasojë, kanë ndërruar jetë 3 shtetas që udhëtonin në mjetin Audi dhe një tjetër është dërguar në gjendje kritike për jetën në spital”, thotë policia në një njoftim paraprak për mediat.

Një grup hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkakut të aksidentit.

Aksidenti i rëndë vjen në një kohë kur në të gjithë vendin qarkullimi i automjeteve që nuk kanë autorizim është i ndaluar, për shkak të masave të marra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Mbetet e paqartë nëse në rastin konkret personat në fjalë kishin ose jo leje për të qarkulluar me automjet. /tvklan.al