50 protestues u arrestuan për sulmin e dhunshëm ndaj Kryeministrisë dhe Parlamentit në tubimin e mbajtur të shtunën nga opozita. 34 të tjerë u proceduan në gjendje të lirë mes të cilëve ish-deputetët, Flamur Noka, Gent Strazimiri dhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi.

Këta persona përveçse kundërshtuan dhe goditën me mjete të forta, fishekzjarre, tymuese dhe bomba molotov punonjësit e policisë, shkaktuan dëme në godinën e kryeministrisë, Kryesisë së Kuvendit dhe selinë e seancave plenare. Dhunës  nuk i shpëtuan edhe subjekte private përgjatë akseve ku kaluan protestuesit. Ministri i Brendshëm e quajti një  sulm të koordinuar kundër institucioneve kushtetuese dhe Policisë së Shtetit.

“Fakti që ideatorët, planëzuesit, organizuesit dhe drejtuesit e sulmeve janë të njëjtët persona apo grupime, që kanë prodhuar për këtë vend tragjedi të rënda si 1997-ta, 1998-ta, apo 2011-ta meriton vëmendje të thellë publike.”

Sipas Ministrit te Brendshëm, sulmet e dhunshme u përballuan me profesionalizëm nga policia që përballoi me orë të tëra bombat molotov dhe mjetet piroteknike. Lleshaj megjithatë nuk i fshehu rezervat për episodin ku u shoqërua sekretari organizativ i Partisë Demokratike Sait Dollapi.

“Do të kishte qenë mirë, që edhe ata punonjës policie, që u angazhuan në ndalimin e njërit për organizatorëve të sulmeve, të kishin bërë ndryshe diçka.  Por episodi i pak sekondave nuk mund të mbulojë apo justifikojë histerinë e zjarrit real, por edhe verbal që u derdh mbi institucionet dhe mbi vetë Policinë.”

Përgjegjësit e dhunës deklaroi Lleshaj duhet të shkojnë përpara drejtësisë.

“Shpreh besimin e plotë se organet kompetente ligjore do të marrin masat e duhura për të vënë përpara përgjegjësisë të gjitha ata që planëzuan, organizuan dhe drejtuan sulmet kundër institucioneve dhe Policisë së Shtetit.”

Sulmi ndaj institucioneve mendohet se kanë qenë objekt i një takimi që kreu i qeverisë pati me kryeprokuroren Arta Marku, paraditen e kësaj të diele.

Ngjarjet e së shtunës po hetohen nga një grup prokurorësh që kanë analizuar provat e gjetura dhe pamjet filmike në 6 orë proteste.

Tv Klan