Këto janë pamjet e arrestimit të Xhevdet Plakut dhe gjashtë personave të tjerë, gjatë operacionit të koduar “Enigma”.
Siç duket, efektivët kanë ndërhyrë teksa grupi po darkonte në një restorant në Gjirin e Lalzit.
“Policia barkas, barkas të gjithë. Asnjë lëvizje”, thërrasin agjentët e policisë të armatosur që kanë kryer arrestimet.
Mes sendeve të sekuestruara janë edhe tre pistoleta, një prej të cilën e mbante Plaku, i njohur si “Akili”. Policia bëri me dije se arma ishte me fishek në fole, gati për qitje, e për këtë arsye ky aksion kishte një rrezikshmëri shumë të lartë.
“Në kuadër të operacionit, në masa të larta sigurie, shërbimet policore ndërhynë në mënyrë të befasishme në ambientet e restorantit ku ndodheshin këta shtetas”, njoftoi më herët drejtori i Policisë së Durrësit, Vilson Bala.
Përveç celularëve, të arrestuarit kishin me vete edhe një sasi të konsiderueshme parash, të sekuestruara nga uniformat blu tashmë.
Të arrestuarit e tjerë janë Flobens Meçja e Voltan Xhani, të dy me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe Jugert Xhani, Oltion Hasani, Fatjon Qesja dhe Alfred Hasanaj.
Operacioni në fjalë zgjati rreth 24 orë dhe në të morën pjesë edhe forcat speciale RENEA e hetues të SPAK-ut.
Zona fillimisht u rrethua nga RENEA dhe më pas oficerët e Policisë Operacionale mësynë në ambientet e restorantit, duke i arrestuar personat në fjalë. Siç duket në video, ata nuk bënë rezistencë./tvklan.al