Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin, policia ka hequr 40 patenta dhe u ka bllokuar automjetet këtyre shoferëve të cilët shkelën urdhrin e ndalimit të qarkullimit.

Ndërsa në Tiranë, një 50-vjeçar me iniciale G.S. u arrestua pasi drejtonte mjetin në gjendje të dehur në masën 1.14 mg/l dhe nuk kishte autorizim për të lëvizur. 50-vjeçaerit iu hoq edhe leja e drejtimit.

Në lidhje me këmbësorët, në të gjithë vendin janë gjobitur 116 të tillë pasi lëviznin pa ndonjë arsye.

Gjithashtu, janë ndëshkuar me gjobë 200 mijë Lekë të vjetra 3 persona dhe bllokim mjeti për 3 muaj, pasi nuk kanë zbatuar urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbra të hapura, në zonat urbane apo mjedise të tjera publike të hapura.

Në të gjithë vendin janë konstatuar 9 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve u vendos gjobë.

Policia apelon për qytetarët se nuk do të lejohet asnjë këmbësor të dalë për shëtitje, aktivitet sportiv apo për motive të tjera, përveç emergjencave mjekësore dhe atyre që shkojnë në punë, të cilët duhet të kenë me vete kartën e identitetit dhe vërtetimin e punës nga punëdhënësi.

Për të bërë pazar në qendrat urbane, një pjesëtar i familjes duhet të aplikojë në e-Albania apo në numrin falas 55155, për t’u pajisur me autorizim, ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa. /tvklan.al