Policia shton masat e sigurisë në shkolla

Policia shton masat e sigurisë në shkolla

10:15 16/09/2019

Me nisjen e vitit të ri shkollor, Policia e Shtetit ka marrë masa për të garantuar sigurinë dhe rendin përgjatë sezonit 2019-2020. Drejtori i Drejtorisë së Rendit Publik, Albert Dervishaj, vizitoi shkollën “1 Maji” në kryeqytet për të uruar nxënësit në këtë fillimviti të ri shkollor.

Gjatë një pronconcimi për mediat, Dervishaj tha se janë përcaktuar në mënyrë të detajuar detyrat që do kryejnë punonjësit e policisë me shërbim pranë shkollave, duke shtuar prezencën policore pranë ambienteve të tyre, me qëllim vlerësimin, sqarimin në kohë, ndjekjen me përparësi të informacioneve për parandalimin e çdo akti të mundshëm kriminal në këto ambiente apo pranë tyre.

Komisariatet dhe Stacionet e Policisë sipas Zonave Policore, për shkollat që kanë në juridiksion, në orët më të ngarkuara të lëvizjes së nxënësve dhe të personelit do të sigurojnë prezencë policore me Patrullën e Përgjithshme.

Në bashkëpunim edhe me autoritetet e qeverisjes vendore dhe drejtuesit e institucioneve arsimore, në planin e masave të policisë është parashikuar kufizimi dhe ndalimi i parkimit pranë shkollave, mbyllja e lokaleve dhe pikave ambulante të shitjeve që tregtojnë produkte ushqimore.  

Albert Dervishaj bëri me dije se policia do të shkëmbejë informacion edhe me stafin pedagogjik për nxënësit që mund të mbajnë me vete armë zjarri, armë të ftohta apo sende të tjera të forta të rrezikshme dhe mbi bazën e tyre zhvillimin e kontrolleve në portat e hyrjes nga personeli roje i shkollës, në prani të mësuesve, oficerit të sigurisë në shkollat e mesme, por nën mbikëqyrjen e punonjësit të policisë.

Për raste të veçanta dhe për shkolla të veçanta, në të cilat situata e rendit dhe sigurisë mund të paraqesë shqetësime do të planifikohen dhe kryhen shërbime fikse, sipas orarit të zhvillimit të procesit mësimor, për periudha kohore të caktuara. /tvklan.al

LAJMET
Të ngjashme

KPT
KPT
UKT