Policia britanike e kap shqiptarin duke punuar

Policia britanike e kap shqiptarin duke punuar

13:41 09/11/2019

Dy shqiptarë, të cilët kujdeseshin për një fermë “të sofistikuar” kanabisi në një shtëpi në Swansea Valley, e cila ishte marrë me qira nga një grup misterioz italianësh, përfunduan në prangat e policisë britanike.

Kur oficerët e policisë bastisën pronën, ata zbuluan se ajo ishte shndërruar në një ambient për prodhimin e drogës së Klasit B. Brenda saj u gjetën më shumë se 300 bimë, të kultivuara nëpër disa dhoma.

Pamjet e kapura nga kamera e trupit të një prej oficerëve tregojnë dhe reagimin e këtyre të fundit një moment që futen në banesë. Një prej tyre dëgjohet teksa thotë “wow”, ndërsa momente me vonë, në pamje shfaqet edhe një prej shqiptarëve. B.Selmani, 27 vjeç, u gjet nga policia në katin e dytë të shtëpisë, teksa qëndronte ulur dhe punonte.

Ndërsa shqiptari tjetër P.Pashko, 26-vjeç, u gjet diku tjetër, në të njëjtën pronë.

Sipas mediave britanike, dy shqiptarët u arrestuan në vendngjarje, ndërsa në total policia sekuestroi 321 bimë, sëbashku me pajisjet e vendosura për kultivimin e tyre.

Në gjykatën e Swansea u zbulua se policia kishte ekzekutuar një urdhër për kontrollin e pronës në rrugën Faraday, në Clydach, më 18 Shtator të këtij viti.

Pashko mësohet se refuzoi t’i përgjigjej pyetjeve të policisë, ndërsa Selmani tha se ai merrte një rrogë prej 250 paundësh për t’u kujdesur për drogën dhe priste që të bënte rreth 5 deri në 6 mijë paund kur të gjitha bimët të ishin të maturuara dhe të korreshin.

Ai u tha oficerëve se kishte rreth 4 muaj që qëndronte tek kjo shtëpi dhe se mund të shkonte e të vinte në pronë kur të donte, megjithatë ai refuzoi që të zbulonte emrat e personave për të cilët po punonte.

Pashko dhe Selmani kishin shkuar në Britani ilegalisht. Selmani kishte hyrë nëpërmjet Belgjikës dhe pak kohë më parë iu ishte refuzuar kërkesa për të legalizuar statusin e tij të emigrantit.

Në gjykatë, prokurori i çështjes tha se shtëpia në Clydach ishte marrë me qira nga tre italianë, megjithatë vendndodhja e tyre nuk dihet.

Avokati mbrojtës i Selmanit tha se klienti i tij kishte shkuar në Britani rreth 5 vjet më parë, për të punuar në mënyrë që të paguante trajtimin e nënës së tij që vuan nga kanceri. Ai tha se 27-vjeçari kishte punuar në lavazh makinash përpara se t’i ofrohej mundësia për të bërë më shumë para në fermën e kanabisit.

Ndërsa avokati i Pashkos tha se ky i fundit kishte pak kohë që kishte mbërritur në Britani dhe se iu ishte premtuar punë në ndërtim, por e gjeti veten gjithashtu duke u kujdesur për kanabisin. Ai tha se 26-vjeçari kishte vetëm pak ditë që kishte shkuar në këtë shtëpi, përpara se të vinte policia dhe ta arrestonte.

Duke qenë se të dy shqiptarët pranuan akuzat, gjykata i dënoi ata me nga dy vjet burg secilin. /tvklan.al


Grupi
LAJMET
Të ngjashme
Grupi