Policia në Bexley të Britanisë u ka bërë apel për ndihmë qytetarëve, për gjetjen e një vrasësi të dyshuar shqiptar, i cili u arratis nga policia më herët gjatë këtij viti.

Hektor Mahmutaj u arrestua më 11 Janar të 2018-s, nga oficerët e njësisë së ekstradimit në Policinë Metropolitane. Arrestimi i tij u bë për llogari të autoriteteve shqiptare, pasi në vendin tonë, 43-vjeçari është i dënuar për vrasje.

Por të premten e 27 Marsit, Mahmutaj shkeli lirinë me kusht dhe që prej asaj kohe ndodhet në arrati.

Oficerët e njësisë së ekstradimit po kërkojnë intensivisht për të zbuluar vendndodhjen e tij. Por duke qenë se ky mision deri më tani nuk ka qenë i suksesshëm, autoritetet kanë kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve. Ata u bëjnë thirrje kujtdo që ka informacion rreth 43-vjeçarit, të kontaktojë policinë.

Për Hektor Mahmutajn drejtësia shqiptare prej 2 dekadash ka lëshuar një urdhërarrest ndërkombëtar. Ai është dënuar me 25 vjet burg për vrasjen e 28-vjeçarit Gentian Jahaj, ngjarje e ndodhur në Fier, në Korrik të 1997-s./tvklan.al