Kontrollet e homologëve do fokusohen në zonat bregdetare dhe malore

Gjatë sezonit turistik, krahas policisë shqiptare do jetë dhe policia çeke për të kryer patrullime me qëllim mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë. Patrullimet e policisë çeke do jenë të fokusuara në zona bregdetare dhe malore, aty ku dhe pritet të ketë numër të lartë turistësh nga shteti çek.

Bashkëpunimi i dy policive ishte planifikuar gjatë vitit të shkuar, por për shkak të pandemisë u shty për këtë sezon turistik. Për të konkretizuar ndërveprimin mes dy policive, në Tiranë mbërriti presidenti i policisë çeke, Jan Svjedar, i cili zhvilloi një vizitë në Drejtorinë e Policisë së Shtetit.

Gjatë takimit me kreun e Policisë Shqiptare, Ardi Veliu, Svejdar vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve, që pritet të zgjerohet dhe më shumë në muajt në vijim. Më herët mes dy vendeve janë nënshkruar memorandume bashkëpunimi në luftën kundër krimit kompjuterik dhe mbështetjes për Policinë Shkencore.

Ashtu si vitet e shkuara, Policisë Shqiptare pritet t’i bashkohet edhe policia e Kosovës, për të kryer kontrolle të qarkullimit rrugor, në zonat turistike.

Klan News