Një sasi rekord kokaine është sekuestruar nga autoritetet në Antwerp të Belgjikës. Sipas mediave vendase, bëhet fjalë për një ngarkesë mbi 27 ton kokainë, e sekuestruar në periudha të ndryshme kohore që prej datës 20 Shkurt. Sasia e fundit që u kap ishte 11 ton dhe u sekuestrua të premten natën në një konteiner.

Zbulimi i kësaj sasie të madhe ka ardhur pas hetimeve 2-vjeçare të policisë belge, që siç thuhet, mundën të zbardhnin komunikimet e koduara mes trafikantëve të bandave kriminale. Deshifrimi i këtyre komunikimeve me kode mes tyre, bëri që autoritetet të mund të zbulonin sasitë e mëdha të kokainës.

Sipas shtypit vendas, janë deshifruar më shumë se 500 milionë mesazhe të shkëmbyera ndërmjet anëtarëve të organizatave kriminale. Këta persona, ka thënë Prokuroria belge, përdornin telefona të koduar të shitura nga kompania Sky Global me bazë në Kanada. Shefi ekzekutiv i kësaj kompanie, në muajin Mars u vu nën hetim në SHBA për bashkëpunim në trafikun e drogës.

Nga operacioni i policisë belge për kapjen e kokainës, janë arrestuar 48 persona në Belgjikë, janë sekuestruar armë, pajisje të tjera dhe një shumë parash cash prej 1.2 milionë Euro.

Hetimet janë shtrirë edhe në Francë e vende të tjera. Investigimi për këtë dosje vazhdon ende. /tvklan.al