Shpallet në kërkim babai i tij: Siguroi mjete për vrasje

Policia ka dështuar në tentativën e saj të radhës për të arrestuar një prej personave më të kërkuar të momentit Florenc Çapjan, i cili prej të paktën dy vitesh i shmanget përballjes me akuzat për vrasje dhe grup kriminal duke qëndruar në Dubai.

Ndaj tij u dha edhe një masë e dytë sigurimi në Maj, pasi bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani u tha hetuesve se Çapja kishte porositur vrasjen e Sokol Sanxhaktarit në Elbasan në 2019.

Uniformat blu thanë zyrtarisht se kishin kryer kontrolle në lagjen ‘Emin Matraxhiu’ dhe servisin e Fejzulla Çapjas, babait të Florenç Çapjas, me qëllim kapjen e këtij të fundit, teksa gjatë kontrolleve u gjet një makinë e vjedhur në Kavajë në 2019 dhe 2 targa të vjedhura në Elbasan në të njëjtin vit.

Policia dyshon se makina dhe targat do të përdoreshin për një vrasje dhe për këtë shpalli në kërkim Fejzulla Çapjen me dyshimet se ka siguruar kushtet dhe mjetet për vrasje.

Operacioni ka qenë në bashkëpunim me SPAK dhe burime të sigurta konfirmojnë se do të kryhet verifikim nëse makina dhe targat do të përdoreshin në ngjarjen e rrëfyer nga bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani, për planin e ekzekutimit të Sokol Sanxhaktarit me kërkesë të Florenc Çapjas. 

Gjithashtu, nga kontrollet në biznesin e Fejzulla Çapjas u gjetën fishekë luftarakë dhe një kapele si ajo e policisë për të cilat do të përballet me 2 akuza të tjera në gjykatë.

Tv Klan