Balla: Shqipëria turistike e 2024 duhet të jetë e pastër nga mbeturinat në rrugë

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit vijon aksionin për çlirimin e hapësirave përgjatë rrugëve kombëtare. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ndoqi nga afër këtë proces në autostradën Tiranë-Durrës, për pastrimin nga vendgrumbullimet e mjeteve motorike të vjetra e pikave të skrapit.

“Ka një ligj i cili detyron çdo biznes që të qëndrojë 1 km larg rrugës kryesore. Pastaj, më keq se kaq, vendosja e makinave në karrexhatë, është burim aksidentesh. Duam mirëkuptimin tuaj që të merrni masat, por mos harroni që kjo është jo vetëm e lidhur me aspektin e sigurisë, por mbi të gjitha lidhet me një pastrim që duam t’iu bëjmë krahëve të të gjitha rrugëve të Shqipërisë.”

Balla vuri në dukje se fillimisht shtetasve u dërgohet njoftimi për pastrimin e mbeturinave në mënyrë vullnetare dhe pas kësaj faze vijohet me procedurat e tjera sipas planit të IKMT.

“Kjo pamje këtu, nuk i bën nder Shqipërisë. Shqipëria turistike e 2024-ës duhet të jetë e pastër dhe kjo nënkupton jo vetëm pastrimin e të gjitha mbetjeve, por pastrimin e këtyre mbeturinave. Kjo gjëja këtu është për t’u shkrirë në metalurgji.”

Ministri i Brendshem nënvizoi se aksioni i nisur nga IKMT, do të vijojë kudo në vend ku bizneset nuk respektojnë rregullat e përcaktuara.

Klan News