Nata e ndërrimit të viteve i gjen shërbimet e urgjencës, policisë edhe zjarrfikësit në dispozicion të plotë të qytetarëve. Duke pasur parasysh që nata e fundit e vitit në kryeqytet festohet me shumë fishekzjarrë stacioni qendër i mbrojtjes nga zjarri do të vërë në dispozicion një mjet zjarrfikësi në qendër të Tiranës ku dhe festa do të jetë më e madhe.
Ndërkohë që të gjithë punonjësit e këtij reparti do të qëndrojnë të gatshëm për çdo ngjarje.
Gazetarja: “Sa mjete janë në dispozicion për sot në darkë?”
“Si zakonisht do të jenë të gjithë mjetet e shërbimit të sektorit zjarrfikës dhe të stacionit këtu në qendër ku nji nga automjetet. Nisja e parë me efektivin e shërbimit të zjarrfikësit prej 5 vetash do të jenë në sheshin Skënderbej.”
Numri i telefonit për këdo që do të ketë probleme me zjarrin është 128, por në gatishmëri do të letë edhe shërbimi i urgjencës, në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, duke u nisur gjithmonë nga pasojat e fishekzjarrëve ne u interesuam pranë urgjencës së kirurgjisë plastike dhe djegieve.
Mjeku: “Për çdo lloj personi që mund të ketë nevojë për 24 orët apo dhe në ditët në vazhdim, dyert e spitaleve dhe të urgjencës janë të hapura.”
Gazetarja: “Është hera e parë që ju bëni mjekun e rojës në natën e ndërrimit të viteve?”
Mjeku: “Po është hera e parë që unë bëj këtë roje dhe kështu që më ka rënë shansi i mirë dhe i keq për ta bërë këtë roje.”
Shërbimi i urgjencës do të jetë i gatshëm deri në të gdhirë dhe në vazhdim dhe numri i telefonit për këdo që do të ketë nevojë është 127, por edhe policia do të jetë në dispozicion të qytetarëve pa ndalesë.
Klodian Branko: “Gjatë festimeve, jemi pranë jush me shërbimet e policisë së rendit, policisë kriminale, policisë kufitare, policisë rrugore dhe patrullës së përgjithshme, të cilat kanë marrë të gjitha masat e nevojshme në akset rrugore, sheshe dhe ambiente ku do të festohet ndërrimi i viteve. Me këtë rast ju rikujtojmë të gjithë qytetarëve, kujdesin që duhet të tregojnë në përdorimin e fishekzjarrëve, sidomos në rastet kur ato përdore nga fëmijët.”
129 është numri i telefonit për këdo që do të ketë nevojë për ndihmën e forcave të rendit gjatë natës së fundit të 2007 dhe në mëngjesin e parë të 2008./tvklan.al
Gazetare: Danjela Kostandini