Policia e Kosovës ka ndaluar sërish Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymerin, për ta dërguar në gjykatë në kuadër të një procesi gjyqësor lidhur me një incident të ndodhur në vitin 2012.

Ymeri bashkë me dy deputetë të tjerë të Vetëvendosjes janë në një proces gjyqësor me deputetin e Partisë Demokratike, Bekim Haxhiu, pas incidentit të ndodhur në qershor të vitit 2012, kur ishin përleshur në oborrin e parlamentit.

Ymeri është shoqëruar në gjykatë, pasi nuk i është përgjigjur ftesës së saj për të marrë pjesë në seancën gjyqësore.

Përmes një komunikate, Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar duke thënë: “

Proceset e montuara gjyqësore ndaj Lëvizjes Vetëvendosje nuk po ndalen dhe janë intensifikuar kohëve të fundit. Arrestimi i vazhdueshëm i kryetarit të subjektit më të madh opozitar, konfirmon raportet ndërkombëtare që Kosovën e kanë shpallur vend me sistem gjysmë të konsoliduar autoritar. Prej se e kemi në pushtet këtë koalicion, dhuna dhe përndjekjet politike janë bërë metodë qeverisëse në Kosovë

“, citon Zëri i Amerikës.

Në komunikatë thuhet gjithashtu se

“Lëvizja Vetëvendosje kërkon urgjentisht ndërprerjen e përndjekjeve politike dhe se do të angazhohet për të larguar këtë regjim autoritar.”

Vendimi i gjykatës lidhur me rastin ku është i përfshirë Ymeri pritet të publikohet në fillim të javës së ardhshme./tvklan.al