Vlera e 613 kg kokainë të kapur në Portin e Durrësit është 180 milionë Euro. Kështu ka deklaruar drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu gjatë një konference për mediat.

Në pranga ranë dy persona Donald Lushaj 25 vjeç nga Tropoja dhe banues në Tiranë, si dhe Armando Pezaku 25 vjeç nga Durrësi.

Në kërkim është shpallur Arbër Çekaj, drejtori i kompanisë “Arbri Garden” me qendër në Maminas. Kjo kompani kishte bërë porosinë me banane që kishte ardhur nga Kolumbia së bashku me sasinë rekord të kokainës.

Kontenieri me drogë mbërriti më 19 Shkurt në Portin e Durrësit, pasi ishte nisur nga Kolumbia e më pas tranzit në Itali dhe në Maltë. 

Gjatë gjithë këtyre ditëve, kontenieri i ngarkuar me banane dhe kokainë është mbajtur nën vëzhgim nga autoritetet shqiptare, dhe operacioni i koduar “Last Snow” mbrëmjen e 27 Shkurtit kur ngarkesa u mor në dorëzim nga firma porositëse “Arbri Garden”.

https://www.youtube.com//embed/AzVBZ2Fy7qQ

Deklarata e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu: 

Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Drejtorinë e Hetimit Doganor, mbi bazën e informacioneve të siguruara më herët dhe analizës së riskut, pas një pune të mirë organizuar dhe të koordinuar, ka arritur të finalizojë me sukses operacionin e koduar “Last Snow”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë i mundur kapja dhe sekuestrimi i një sasie rekord prej 613 kilogramë e 350 gramë lënde narkotike e dyshuar kokainë, me vlerë tregu mbi 180 milion euro.

Hetimet kanë dokumentuar se lënda narkotike ishte nisur me kontenier nga Kolumbia duke kaluar tranzit përmes Italisë, në Maltë e më pas me anije ka mbërritur në Portin e Durrësit në Shqipëri, në datën 19 shkurt 2018.

Kokaina ishte e fshehur në kontenier me dysheme të dyfishtë, të ngarkuar me banane.

Operacioni ka nisur gjatë mbrëmjes së datës 27 shkurt 2018, në Portin Detar të Durrësit, në momentin që ngarkesa e ligjshme me banane, u mor në dorëzim nga firma porositëse “Arbri Garden” shpk, me pronar shtetasin A.Ç.

Sasia e lëndës narkotike ishte e paketuar në 528 pako, të mbështjella me letër natriban me kode të vendosura nga trafikantët.

Kontenieri i mbërritur në Portin e Durrësit, u mbajt nën vëzhgim të pandërprerë deri sa mbërriti në magazinat e firmës, nga strukturat e Policisë së Shtetit.

Shërbimet e Policisë kanë rrethuar në perimetrin e jashtëm objektin e më pas kanë ndërhyrë në brendësi të magazinës. Pas kontrollit të imtësishëm të kontenierit, kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e lëndës narkotike.

Nga tërësia e veprimeve të kryera, rezultuan të përfshirë në këtë aktivitet kriminal shtetasit dhe u arrestuan në flagrancë:

– Donaldo Lushaj, 25 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë;

– Armando Pezaku, 25 vjeç, lindur dhe banues në Durrës.

Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi A.Ç., pronari i firmës ku u sekuestrua lënda narkotike.

Autoritetet shqiptare po vijojnë hetimet ngushtësisht me partnerët e huaj për të zbuluar gjithë lidhjet dhe personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Ndërkohë po vijon puna për evidentimin e pasurive të të arrestuarve dhe të përfshirëve në këtë trafik narkotikësh.

Policia e Shtetit është e vendosur të godasë me Forcën e Ligjit çdo paligjshmëri dhe aktivitet kriminal, për të ndërtuar një Shqipëri më të qetë e të sigurtë.

/tvklan.al