Policia e Shtetit ka shtuar masat e sigurisë dhe patrullimet për shkak të festave të fundvitit. Albert Dervishaj, drejtori i Rendit Publik në Policinë e Shtetit, në një komunikim për mediat sqaroi planet që janë ndërmarrë për të garantuar sigurinë gjatë ditëve të fundit të këtij muaji.

Sipas tij, synohet rritja e sigurisë, parandalimi i ngjarjeve kriminale, mbajtja nën monitorim e personave me rekorde kriminale, rritja e patrullave në akse kryesore rrugore për të parandaluar aksidentet si dhe ndalimi i tregtimit të fishekzjarreve.

“Gjithashtu janë hartuar Planet e Vendosjes së Shërbimeve të Policisë Rrugore, me qëllim monitorimin e akseve kryesore rrugore kombëtare. Bazuar në informacione, do të organizohen shërbime të përbashkëta, të këtyre strukturave dhe do të mbështeten edhe nga Repartet e Ndërhyrjes së Shpejtë Tiranë, Fier, Shkodër për kontrollin e territorit dhe patrullime të përbashkëta, për qarkullimin e sigurtë të automjeteve dhe kapjen e personave objekt i këtij kontrolli.

Strukturat e Policisë kanë planifikuar masa për mbajtjen në kontroll të situatës së sigurisë, në veçanti në sheshe publike, Qendra Tregtare që frekuentohen nga numër i madh qytetarësh, lokale dhe restorante, apo sheshe ku do të organizohen aktivitete festive etj. Në veçanti nga DVP Tiranë, gjatë natës së nderimit të viteve janë planifikuar punonjës policie në terren, nga të cilët në Sheshin “Skënderbej”, ku do të festohet nata e ndërrimit të viteve dhe ku Bashkia e Tiranës organizon koncertin festiv, siguria është organizuar në bashkëpunim me të gjitha institucionet që kanë detyrime”

, u shpreh Albert Dervishaj.

Gjithashtu, kontrollet janë forcuar edhe në pikat e kalimit kufitar, si dhe do të ketë përforcim në objekte private, të tilla si banka, pika të këmbimit valutor etj. /

tvklan.al