Policia e Shtetit ka dhënë zyrtarisht informacion në lidhje me aksidentin me vdekje që shkaktoi deputeti i PDIU Aqif Rakipi rreth orës 04:51 të mëngjesit të sotëm në autostradën Durrës-Tiranë në Vorë.

Policia thotë se ku mbërriti në vendngjarje, konstatoi një person në rrugë pa shenja jete dhe në këto momente, afërsisht në orën 04:51, Komisariati i Policisë nr.2 ka njoftuar që ishte paraqitur deputetit i PDIU Aqif Rakipi me automjetin e tij tip Mercedes i dëmtuar në pjesën e përparme të tij. Deputeti Rakipi deklaroi në komisariat se ka përplasur një person në autostradë dhe po dorëzohej.

“Ndërkohë është formuar grupi hetimor dhe është kërkuar ndërhyrja e Prokurorit të gatshëm, por nuk u mundësua lidhja nëpërmjet celularit, të cilin e kishte të fikur. Në këto kushte u kryen veprimet e para hetimore në vendin e ngjarjes dhe gjatë kryerjes së veprimeve, u njoftua Prokurori i Rrethit Gjyqësor Tiranë, i cili pasi u informua për rrethanat dhe veprimet e para, kërkoi që krahas ekspertit autoteknik të policisë, të caktoheshin edhe dy ekspertë të tjerë autoteknik të jashtëm, me qëllim kryerjen e një ekspertimi autoteknik me grup ekspertësh. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që shkaktuan aksidentin rrugor me pasojë vdekjen e kembësorit me iniciale S.S., rreth 54 vjeç”,

thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

/tvklan.al