Sekuestrohet 119 kg kokainë, 3 në pranga


Sekuestrohet 119 kg kokainë, 3 në pranga

10:43 31/12/2021

Droga nga Amerika Latine, në kërkim porositësit

Policia e Shtetit ka dhënë detaje për sekuestrimin e 119 kg kokaine të zbuluar një ditë më parë në magazinat e një kompanie importi frutash në Vaqarr të Tiranës. Droga u gjet në një kontejner me banane të nisur nga Amerika Latine dhe që kishte kaluar transit në portin e Goia Tauro në Itali. Autoritetet doganore në vendin fqinj kanë konstatuar se kontejnerit i mungonte plumbçja apo vula. Për këtë arsye kanë ushtruar kontroll dhe kanë vënë re mungesë të arkave me banane.

Pas kësaj kontejneri është mbyllur, riplumbosur. Kontejneri ka mbërritur në portin e Durrësit dhe pas zhdoganimit dhe kontrollit në skaner ka rezultuar i pastër dhe ka dalë nga porti, me destinacion magazinat e firmës në periferi të Tiranës. Por në afërsi të fshatit Romanat në rrugën nacionale Durrës-Tiranë kamioni është ndaluar nga 3 persona ende të paidentifikuar, të cilët për disa minuta kanë ushtruar kontroll në kamion dhe në kontejner dhe më pas janë larguar me shpejtësi.

Për këtë ngjarje përfaqësuesit e firmës importuese të bananeve kanë njoftuar Policinë e Shtetit. Uniformat blu bënë një kontroll të imtësishëm në kontejner dhe gjetën 119 kilogramë kokainë. Në pranga u vunë 2 drejtuesit e automjeteve të firmës, si dhe administratori kompanisë. Burime nga grupi hetimor thanë se dyshojnë që një pjesë e drogës të jetë marrë nga kontejneri që në Itali ku autoritetet vunë re mungesë të kutive me banane.

E paqartë mbetet se pse personat që ndaluan kontejnerin nuk kishin informacion të saktë se ku fshihej droga. Për shkak të peshës totale të deklaruar në dokumentacion, dyshohet se sasia e kokainës që është marrë në Itali, të jetë e konsiderueshme. Policia thotë se vijon punën për të gjetur porositësit e drogës dhe personat që ndaluan dhe kontrolluan kontejnerin në mes të rrugës.

Tv Klan












Të ngjashme