Policia e Shtetit nëpërmjet një njoftimi për shtyp ka dhënë detaje mbi arrestimin e Arben Frrokt, në Holandë.

Sipas saj,Interpol Haga njoftoi sot në orën 17:15 minuta Interpol Tiranën se kishte identifikuar dhe arrestuar shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar Arben Frroku, të dënuar nga drejtësia shqiptare me burgim të përjetshëm.

Policia thekson, se Interpol Tirana gjatë ditëve të fundit ka patur disa komunikime me homologët në Hollandë në lidhje me këtë çështje, por vetëm sot pasdite, u konfirmua se shtetasi i paraqitur me dokumente të falsifikuara nën emrin “Renato Tsepa”, ishte shtetasi Arben Frroku, i dënuar tashmë nga drejtësia shqiptare.

Verikimi i identitetit të shtetasit Frroku erdhi pas krahasimit të gjurmëve të dërguara nga autoritet e vendit tonë për partnerët hollandezë.

Interpol Haga konfirmoi se gjurmët ishin identike me ato të një shtetasi të arrestuar me dokument (pasaportë) greke të falsifikuar, me gjeneralitetet “Renato TSEPA”, lindur në Korçë.

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Ministrinë e Drejtësisë, kanë nisur procedurat e ekstradimit të shtetasit Frroku drejt Shqipërisë, ku pritet të vuajë dënimin sipas vendimit të gjykatës./tvklan.al