Policia e Shtetit ka reaguar ndaj ish-Kryeministrit Sali Berisha, për të cilin thotë se vazhdimisht ka prodhuar dhe postuar në rrjetet sociale shpifje nga saj. Në një deklaratë për mediat, thuhet se

“Policia e Shtetit konstaton me keqardhje se shtetasi Sali Berisha ka prodhuar dhe postuar në rrjete sociale në vazhdimësi shpifje të panumërta ndaj kësaj organizate ligj zbatuese”.

Për çdo postim që e konsideron shpifje, Policia thotë se do të reagojë ndaj Berishës duke e kallëzuar penalisht dhe duke kërkuar nga Prokuroria që t’i shkojë të vërtetës deri në fund.

“E gjendur nën presionin e pandërprerë të një lumi shpifjesh nga ana e këtij shtetasi bën me dije se do të reagojë me kallëzime penale, duke kërkuar zbardhjen shpejt dhe deri në fund të këtyre shpifjeve, nga Prokuroria”.

Publikimet e këtij lloji tentojnë të ndërtojnë një fushatë të mirëfilltë linçimi publik, që ka qëllim të denigrojnë, delegjitimojnë, dekurajojnë dhe pengojnë punën e trupës së Policisë së Shtetit në shërbim të Kushtetutës, ligjit e qytetarëve. Policia e Shtetit do ta adresojë në rrugë ligjore këtë tentativë të papranueshme dhe do të mirëpresë hetimet që do të provojnë bazën e çdo akuze nga ana e z.Berisha. Kjo është e rëndësishme jo vetëm në respekt të opinionit publik, por dhe për vetë Policinë e Shtetit”,

thuhet në deklaratë.

Reagimi i policisë vjen një ditë pasi në një postim të rrjetet sociale, ish-Kryeministri Sali Berisha, duke komentuar emërimin e Rebani Jaupit në krye të Policisë së Tiranës, e akuzoi Jaupin si të përfshirë në trafikun e drogës.

/tvklan.al