Policia e Tiranës ka refuzuar kërkesën e partisë Demokratike, për të protestuar para parlamentit më datën 5 Mars, në orën 09:00, ashtu siç selia blu kishte kërkuar leje. Në korrespondencën mes zyrës së PD-së dhe Drejtorisë së Policisë së Tiranës, renditen edhe arsyet pse kjo e fundit ka refuzuar lejen ndaj opozitës, për të protestuar në sheshin para parlamentit. Sipas policisë dhuna e ushtruar ndaj anëtarëve të Parlamentit dhe ndaj punonjësve të policisë, duke përdorur edhe mjete të forta, janë disa nga arsyet për refuzimin e tubimit.

Reagimi i Policisë

“Kërkesa juaj për tubim para parlamentit, cënon sigurinë e Institucionit me Rëndësi të Veçantë, siç është Kuvendi i Shqipërisë, pengon hyrjen në të të deputetëve, administratës dhe punonjësve të tjerë, vë në rrezik jetën e tyre dhe pengon zhvillimin e punimeve të parashikuara për në orën 10:00 të kësaj date, ndaj ndalohet zhvillimi i tubimit tuaj në vendin që keni kërkuar”.

Policia i bën thirrje që të protestohet në një tjetër vend ndërsa kujton se në rast të shkeljes së vendimit, organizatorët do të mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale. Por këtë refuzim të policisë, Partia Demokratike e konsideron shkelje të Kushtetutës.

Reagimi i Partisë  Demokratike

“Çdo pengim i lirisë së ushtrimit të tubimit sipas këtij njoftimi, në datën 5 mars 2019 dhe pasojave që mund të shkaktojë ky fakt gjatë ditës së tubimit është nën përgjegjësinë tuaj personale dhe institucionale”.

Partia Demokratike ka vendosur të protestojë përpara parlamentit sa herë që do të ketë seancë plenare ndërsa ka paralajmëruar një tjetër tubim në 16 mars në sheshin para kryeministrisë.

Tv Klan