Policia e Tiranë ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi sot në sheshin “Skenderbej”. Blutë e Tiranës sqarojnë se agresori është Arben Mema, i cili tashmë është arrestuar dhe ndodhet në ambientet e Komisariatit 1.

Po ashtu bëhet me dije se verifikimet paraprake të Policisë nuk ka persona të lënduar dhe dyshohet se drejtuesi i mjetit është nën efektin e lëndëve narkotike, ndaj dhe ka bërë manovrat e rrezikshme.

Njoftimi i plotë i Policisë Tiranë:

Në sallën operative ka ardhur njoftim se në sheshin “Skënderbej”, një drejtues mjeti ishte duke kryer manovra të rrezikshme në rrugë, duke rrezikuar jetën e qytetarëve.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në adresën e dhënë kanë shkuar shërbimet e Policisë, të cilët në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe qytetarë të rastit kanë bërë të mundur neutralizimin dhe prangosjen e drejtuesit të mjetit, shtetasit A. M., 32 vjeç, i cili është shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme hetimore.

Nga verifikimet paraprake të Policisë nuk ka persona të lënduar dhe dyshohet se drejtuesi i mjetit është nën efektin e lëndëve narkotike. Gjithashtu, këtij shtetasi gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi me lëndë të dyshuar kanabis.

Ky drejtues mjeti fillimisht ka përplasur tri automjete në vende të ndryshme duke shkaktuar dëme materiale dhe më pas ka thyer barrierat mbrojtëse dhe ka hyrë në sheshin “Skënderbej” duke rrezikuar seriozisht qytetarët. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes./tvklan.al