Policia e Tiranës njoftoi këtë të enjte arrestimin e 5 personave dhe shpalljen në kërkim të 2 të tjerëve, të dyshuar si të përfshirë në 3 ngjarje kriminale me armë e eksploziv të ndodhur më parë në Tiranë, përgjatë viteve 2017-2019.

Një nga personat e shpallur në kërkim është Sokol Xhura, i cili sipas policisë, së bashku me kushërinjtë Ermond dhe Enver Jamaku, të arrestuar në fund të muajit Shkurt, janë autorë të dyshuar 2 ngjarjeve të ndodhura më 10 dhe 15 Shtator 2017.

“Shtetasi i shpallur në kërkim Sokol Xhura dyshohet se së bashku me dy persona të tjerë të arrestuar më parë, Ermond Jamaku dhe Enver Jamaku, janë autorë të sulmit me armë ndaj shtetasit Paulin Paplekaj, ngjarje e ndodhur më datë 10 shtator 2017, në rrugën “Muhamet Deliu” në Tiranë”, tha drejtori i Policisë së Tiranë, Rebani Jaupaj.

Dy ngjarjet e vitit 2017, sipas policisë, kanë lidhje me njëra-tjetrën. Ngjarja e parë është ajo e 10 Shtatorit 2017, atentati ndaj avokatit Paulin Paplekaj, e ndodhur në zonën e Freskut, në rrugën “Muhamet Deliu”.

Po këta persona, dyshohen se i kanë vendosur në banesë Edmond Saraçit, i cili jeton në zonën e Kinostudios në Tiranë, në një kuti, armë e municione, si: 1 kallëp tritoli i montuar me kapsollë detonatore elektrike, 1 granatë difensive, 1 armë zjarri e llojit Pistoletë “Zastava”, kalibri 7.65 mm, me krehër me 3 fishekë, një silenciator që përdoret për armë zjarri dhe një qese transparente me pluhur të kuqëremtë me lëndë narkotike të dyshuar “Heroinë”.

Edmond Saraçi u arrestua më 15 Shtator të 2017, pas një informacioni që kishte në polici që e implikonte këtë të fundit si autor të dyshuar të atentatit ndaj avokatit Paplekaj. Por 4 vite më vonë, policia zbuloi se në fakt, e gjitha ka qenë një inskenim i 2 të arrestuarve Jamaku dhe Xhurës, i shpallur në kërkim për ta implikuar Saraçin në këtë atentat.

Saraçi u lirua 3 muaj më vonë, pasi u provua se ai nuk kishte asnjë lidhje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë me atentatin ndaj avokatit të tij, por në atë kohë nuk u arrit të provohej se kush ishin autorët e vërtetë.

Avokati Paulin Paplekaj mbronte në një proces gjyqësor për çështje pronësie fqinjët e Edmond Saraçit. Ky i fundit ka denoncuar edhe në Prokurori, se e gjithë ngjarja ndaj avokatit dhe arrestimi që iu bë më pas ishte e inskenuar dhe lidhej me procesin gjyqësor për pronësi ndaj tij dhe fqinjit nga pala kundërshtare e tyre./tvklan.al