Një ditë përpara protestës së thirrur nga opozita, Policia e Shtetit paralajmërojnë se në manifestimin e së shtunës do të ketë eksponentë me rekorde kriminale.

“Përveç deklaratave dhe retorikës së ndezur politike dhe thirrjeve për dhunë, të artikuluara nga disa përfaqësues të politikës dhe medias, Policia e Shtetit ka administruar edhe informacione se persona të caktuar, me rekorde kriminale apo të dënuar më parë për vepra të rënda penale, janë përgatitur për të ushtruar dhunë në protestën e datës 16 Shkurt 2019, të organizuar nga Partia Demokratike. Në interes të mbarëvajtjes së protestës dhe të sigurisë së pjesëmarrësve në të, dhe të qytetarëve të tjerë, Policia e Shtetit ri-përsërit thirrjen drejtuar organizatorëve, që të distancohen nga zërat që inkurajojnë dhunë, si dhe nga personat me rekorde të rënda kriminale.”

Por kjo deklaratë e Policisë së Shtetit është hedhur poshtë nga numri dy i Partisë Demokratike.

“Partia Demokratike nuk ka nxitur kurrë dhunë dhe as nuk ka patur në radhët e saj njerëz të krimit! Persona me rekorde të rënda kriminale nuk janë mes nesh, nuk janë mes protestuesve, por janë në qeveri dhe me qeverinë. Njoftojmë Policinë Politike se as shtetasi Vangjush Dako, as shtetasi Saimir Tahiri, as shtetasi Arben Ndoka, as shtetasi Armando Prenga, as shtetasi Mark Frroku, as shtetasi Artur Bushi, as shtetasi Artur Bardhi, as shtetasi Elvis Roshi, as shtetasi, Jurgis Çyrbja, as shtetasi Fatmir Xhafaj, nuk do të jenë në protestë. Ndërsa shtetasit Edi Rama dhe Damian Gjiknuri do të jenë në Vlorë, në një antimiting, ku administrata është detyruar forcërisht të marrë pjesë”.

Palët janë përplasur edhe për lejen se ku do të zhvillohet tubimi i opozitës. Demokratët kanë kërkuar që protesta të shtrihet jo vetëm përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, por Policia e Shtetit ka refuzuar dhënien e lejes në një nga rrugët atë “Ismail Qemali”.

 “Garantimi i lirisë së veprimtarisë, të lëvizjes dhe të qasjes së papenguar në mjediset e misioneve diplomatike dhe në disa institucione të rëndësishme shtetërore, e bëjnë të pamundur lejimin e protestës së opozitës në rrugën “Ismail Qemali”. Por nga ana e Policisë së Shtetit dhe e autoriteteve vendore policore të Tiranës janë mundësuar mjedise të mjaftueshme si Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, i cili është shfrytëzuar historikisht për qëllime të tilla dhe që ofron hapësira të mjaftueshme edhe për pjesëmarrje masive.

 “Se ku do të protestojë populli këtë e vendos populli dhe jo Policia Politike e kryeministrit të dalë boje në sytë e shqiptarëve dhe të partnerëve ndërkombëtarë”.

Tv Klan