Policia Federale Gjermane dhuron 5 automjete dhe një sërë pajisjesh të tjera logjistike, të cilat i shtohen flotës operacionale të Policisë së Shtetit.

Automjetet dhe pajisje të tjera u dhuruan nga Policia Federale Gjermane dhe ambasada e Gjermanisë, në Shqipëri. Ato do të ndikojnë pozitivisht në rritjen e cilësisë së shërbimit të ofruar për qytetarët, si dhe të efektivitetit të përmbushjes së detyrave funksionale, nga punonjësit e Policisë.

Donacioni me vlerë rreth 560 000 euro, iu dorëzua Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, nga Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, SH. T. Z. Peter Zingraf.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka falënderuar z. Zingraf, dhe përmes tij, homologun dhe kolegët e Policisë gjermane, për këtë donacion tejet të rëndësishëm për Policinë e Shtetit. Drejtori theksoi se kolegët gjermanë i ka patur në krah, që në fillim të detyrës së tij, jo vetëm përmes fjalëve, teknikaliteteve dhe burokracive, por me ndihma dhe bashkëpunime konkrete dhe operacionale, të cilat përkthehen në siguri dhe prosperitet, për qytetarët, dhe në ndëshkueshmëri dhe zero tolerancë, për krimin në përgjithësi dhe për krimin e organizuar në veçanti. Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm shprehu se ndihma dhe kontributi i vazhdueshëm i Policisë gjermane dëshmojnë besueshmërinë, partneritetin dhe profesionalitetin që Policia e Shtetit shkëmben me kolegët ndërkombëtarë, dhe se ky donacion vjen në kohën më të favorshme për Policinë e Shtetit, kur qasja e re institucionale duhet të mbështetet me logjistikë dhe teknologji bashkëkohore, në mënyrë që qytetarët të shohin rezultate shumë pozitive. Më tej, Drejtori i Përgjithshëm shtoi se punonjësit e Policisë së Shtetit gëzojnë integritetin dhe profesionalizmin e duhur, dhe se janë tërësisht të angazhuar, për të qenë krah për krah, me kolegët gjermanë, në betejat e përbashkëta kundër fenomeneve kriminale.

Ky donacion përbëhet nga 5 automjete, nga të cilat, 1 autoambulancë dhe pajisje të tjera, me vlerë rreth 560 000 euro. Ky set logjistik do të rritë kapacitetet profesionale të Departamentit për Kufirin dhe Migracionit dhe të njësive speciale, shpejtësinë e reagimit operacional të tyre, në terren, si dhe do të ndikojë në përmbushjen sa më efikase të detyrave funksionale të punonjësve të Policisë, në drejtim të luftës kundër krimit ndërkufitar, krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi.

z. Zingraf gjatë fjalës së tij, falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm, për qasjen e re profesionale dhe për klimën bashkëpunuese që ka implementuar në Policinë e Shtetit. Për z. Zingraf, bashkëpunimi midis Policisë shqiptare dhe asaj gjermane është real, konkret dhe i prekshëm nga qytetarët, pasi është i ndërtuar mbi baza besimi dhe vendosmërie të përbashkët, për të garantuar rend dhe siguri publike, për qytetarët e të dy vendeve. Ambasadori gjithashtu theksoi se Policia Federale Gjermane dhe autoritetet e tjera ligjzbatuese do të vijojnë të jenë krah për krah me Policinë e Shtetit, si partnerë, miq dhe kolegë gjatë operacioneve, për përmbushjen e misionit të përbashkët./tvklan.al