Një zyrtar shqiptar i Transporteve është në kërkim si furnizuesi me kanabis i rrjetit ndërkombëtar të trafikut të drogës, 15 anëtarë të të cilit u vunë në pranga nga policia greke ditët e fundit.

Gjatë mbrëmjes mediat greke zbuluan edhe emrat e dy bashkëpunëtorëve të zyrtarit shqiptar në trafikun e drogës. Bëhet fjalë për dy skafistët, Petro Dalanaj dhe Kleanth Palaj.

Më herët gazeta “Kathimerini” shkruajti se, 44 – vjeçari ka lidhje të forta politike në Shqipëri dhe se në vitin 2014, ai ishte emëruar nga qeveria për të mbikëqyrur çështjet e transportit në qytetin e Sarandës.

Shpalljen në kërkim të 44 – vjeçarit shqiptar e konfirmoi edhe shefi i policisë greke në konferencën për shtyp të një ditë më parë, ku dha detaje për operacionin.

“Pas hetimeve disa mujore, Sektori i Antidrogës në bashkëpunim me zyrën e DEA-s në Ambasadën Amerikane në Athinë, u arrit të zbulohej përbërja e grupit kriminal, mënyra si ai funksiononte dhe veprimtaria  e organizatës në vendet e Europës Perëndimore dhe ato të Ballkanit. Rolin e financuesit dhe personit që kujdesej për transportin e sasive të kanabisit nga Shqipëria drejt Greqisë dhe Europës Perëndimore, e kishte një shtetas shqiptar 44 – vjeçar, i cili jeton jashtë Greqisë”.

Policia greke thotë se bashkëpunëtor i ngushtë i zyrtarit shqiptar të transporteve është një 46 – vjeçar grek, i arrestuar tashmë nga autoritetet policore greke.

Transporti i kanabisit kryhej duke pajtuar kamionë të shoqërive të transportit, por edhe në rrugë detare. Ngarkesa e fundit që u kap ishte rreth 700 kilogramë kanabis, me vlerë rreth 1.5 milionë euro e cila u bllokua në bregdetin e Zakinthos.

Harta e vënë në dispozicion nga policia greke, tregon itenerarin e nisur nga bregdeti i Sarandës, drejt portit të Patras në Greqi dhe skafin me të cilin ishte transportuar droga.

09:00

Ekathimerini: “Eskobari” shqiptar, zyrtari i lartë i transporteve në Sarandë

Pas një hetimi që zgjati për të paktën një vit, policia greke ka zbuluar një rrejt ndërkombëtar që trafikonte drogë me vlerë qindra milionë euro, duke furnizuar Evropën. Gazeta greke “Ekathimerini” shkruan se, pas arrestimit të 15 personave dhe sekuestrimit të 700 kg kanabis, në ishullin Zakynthos, tani është në kërkim “koka” e këtij grupi.

Bëhet fjalë për një 44 – vjeçar shqiptar nga Saranda, që sipas gazetës greke “Ekathimerini”, ka qenë zyrtar për të mbikëqyrur çështjen e transportit në qytetin bregdetar.

Madje “Ekathimerini” shkruan se ai ka qenë i akuzuar edhe nga opozita shqiptare në vitin 2014.

Hetimet po ashtu thuhet se janë duke u zhvilluar në Belgjikë. Vendet ku kishte aktivitet ky grup ishin Greqi, Shqipëria, Bullgaria, Spanja, Holanda, Britania, Austria, Belgjika dhe Norvegjia.

Policia greke thotë se droga nisej për në Greqi me skafe nga Shqipëria dhe më pas shpërndahen në Evropë nëpërmjet një kompanie kamionësh fals me bazë në Greqi. /tvklan.al