Policia e Vlorës në bashkëpunim me struktura të Policisë së Shtetit kanë goditur një rast të trafikut të drogës, duke arrestuar pesë persona.

Sipas informacionit zyrtat të policisë, grupi kishte siguruar kanabis në formë çokollate dhe do ta transportonin nga Vlora drejt Tiranës, ku dhe do të shitej.

Edi Tafaj

Në prangat e uniformave blu ranë shitësit dhe blerësit e lëndës narkotike. Konkretisht, u arrestuan Sokol Bushi 23 vjeç, Arben Metaj 47 vjeç, Martin Bushi, Edi Tafaj 22 vjeç dhe Renaldo Gecaj 46 vjeç.

Operacioni antidrogë fillimisht ka nisur në Vlorë, ku nga hetimet e kryera u zbulua se Arben Metaj dhe Martin e Sokol Bushi, dyshohej se pasi kishin siguruar një sasi lënde narkotike të presuar në formë çokollate në Vlorë, do ta transportonin atë me një automjet kamionçinë drejt Tiranës.

Policia ka mbajtur nën vëzhgim personat që transportonin lëndën narkotike dhe në momentin kur Renaldo Gecaj dhe Edi Tafa do të blinin kanabisin në Tiranë, uniformat blu kanë ndërhyrë duke arrestuar të gjithë personat e përfshirë.

Gjatë aksionit u sekuestrua 50 kg kanabis çokollatë, 1 automjet frigoriferik tip Renault, 1 makinë Peugeot 407 dhe 7 celularë. /

tvklan.al