Në një deklaratë për mediat Zv/drejtorja e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj tha se policia disponon informacione shqetësuese për protestën e thirrur këtë të shtunë nga opozita. Ndaj ajo u bëri thirrje pjesëmarrësve të mos tejkalojnë kufijtë e ligjit, ndërsa organizatorëve u kërkoi që të largojnë nga turma njerëz me maska apo me mjete të forta në duar.

“Sot disa forca politike kanë thirrur një tubim proteste. Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për të garantuar lirinë demokratike të tubimit dhe njëkohësisht ka kërkuar bashkëpunimin e organizatorëve për të shmangur dhunën gjatë saj. Për shkak të informacioneve shqetësuese që Policia disponon, në vazhdën e protestave të shkuara të të njëjtave subjekte politike, u bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve të mos tejkalojnë kufijtë e ligjit”.

“Po ashtu, nisur nga ngjarja e rëndë e protestës së kaluar ku protestues të dhunshëm goditën me shufra metalike protestues paqësorë, u bëjmë thirrje organizatorëve të largojnë nga turma njerëz me maska apo me mjete të forta në duar, duke ia dorëzuar menjëherë Policisë”.

Hajnaj tha se në protestat e shkuara mes të ndaluarve ka pasur persona me precendentë të rëndë penalë, siç ishte rasti i Zamir Sijanit, një prej autorëve të dhunimit të dy protestuesve. Ndaj ajo i bëri thirrje organizatorëve që marrin përgjegjësinë e tyre, për të mos lejuar devijimin e protestës.

“Policia e Shtetit ka konstatuar me shqetësim se mes të ndaluarve në protestat e shkuara ka individë me precedentë të rëndë penale, siç ishte rasti i njërit prej dhunuesve të dy protestuesve paqësore, i dënuar për trafik ndërkombëtar droge. I bëjmë thirrje të drejtpërdrejtë organizatorëve të marrin të gjithë përgjegjësinë e tyre për moslejimin e devijimit të protestës. Po ashtu ri-kujtojmë se përdorimi i mjeteve piroteknike është jo vetëm i paligjshëm, po edhe tejet i rrezikshëm për shëndetin e jetën e punonjësve të Policisë dhe qytetarëve”.

Policia e Shtetit thotë se do t’i qëndrojë strikt parimit demokratik të proporcionalitetit dhe është e përgatitur të reagojë në proporcion të plotë, me çdo akt dhunePo ashtu, policia kërkon nga qytetarët e Tiranës, që nuk janë të interesuar për protestën, të shmangin lëvizjen në perimetrin e protestës së sotme, e cila do të jetë nën monitorimin e plotë të Policisë./tvklan.al