5 persona u arrestuan nga policia për aksionin që nisi këtë mëngjes në fshatin Nikel të Fushë-Krujës.

Në mbrëmje policia bëri me dije emrat e të arrestuarve, persona me precedentë penalë. Bie në sy që mes të arrestuarve mungon emri i Durim Bamit, emri me i famshëm mes personave që u shoqëruan fillimisht në polici. Durim Bami u hetua dy vite më parë nga organet e drejtësisë si i dyshuar për një atentat ndaj deputetit Tom Doshi.

Operacioni ‘Forca e Ligjit’ nisi rreth orës 5:30 të mëngjesit kur në të gjithë fshatin Nikel u ndërpre energjia elektrike dhe forcat speciale ndërhynë për të nisur kontrollet e personave të skeduar.

Mësohet se policia e Durrësit nën drejtimin e hetimeve nga prokuroria e Krujës, ka arrestuar Lutfi Hakën, Marklen Hakën, Ylli Çangun, Skënder Lezën dhe Valter Bamin.

Gjatë kontrollit në banesat e këtyre personave janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë e tipit Bareta, një Revolver Trident, tre armë gjahu, një pushkë sportive pleumatike dhe 28 fishekë luftarake me kalibër 9 milimetra. Zona e Niklës njihet si vendi ku qëndrojnë persona me rrezikshmëri të lartë dhe me precedentë kriminalë.

Tv Klan