Një i vdekur dhe 5 të plagosur është bilanci i një ngjarjeje të rëndë të ndodhur mesditën e kësaj të enjteje në qytetin e Kavajës. Në një njoftim zyrtar për mediat, Policia e Tiranës konfirmon se viktima është një kalimtar i rastit, të cilin e identifikon me iniciale R.H.

Ai mbeti i vrarë nga një konflikt mes disa personave. Sa i përket të plagosurve ata janë 5 dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

“Sot rreth orës 12:30 në lagjen nr. 2 Kavajë, pas një konflikti mes disa personave, ka mbetur i vrarë shtetasi R. H., (kalimtar i rastit) dhe kanë mbetur të plagosur 5 shtetas, të cilët po marrin mjekim në spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta kanë bërë të mundur identifikimin e autorëve dhe janë vënë në ndjekje të njërit prej tyre”, thuhet në njoftimin për mediat.

Autorë të dyshuar të kësaj ngjarjeje të rëndë janë dy vëllezër. Një prej tyre mbeti i plagosur dhe ruhet në spitalin e Durrësit, ndërsa tjetri është në kërkim.

“Për zbardhjen e plotë të ngjarjes u ngrit menjëherë një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorit të Rrethit dhe nga veprimet paraprake dyshohet se autorët e ngjarjes janë dy vëllezër, shtetasit M. A dhe D. A. Shtetasi M. A (autori i dyshuar), mbahet në ruajtje nga shërbimet e Policisë në spitalin e Durrësit, pasi është i plagosur. Policia është vënë në ndjekje të autorit tjetër, shtetasit D. A. dhe vijon krehja e zonës për kapjen e tij”.

Autoritetet policore kanë bllokuar dy automjete që u përkasin personave të përfshirë në konflikt. Ndërkohë në komisariatin e Kavajës janë shoqëruar disa persona dhe vijon puna për shoqërimin e personave të tjerë. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./tvklan.al