Një grua mbeti e vdekur dhe pesë të tjerë u plagosën në një sulm me thikë në një bibliotekë publike në periferi të qytetit kanadez të Vankuverit të shtunën. Policia tha se ka ndaluar një person të dyshuar për sulmin.

Incidenti ndodhi në orët e pasdites dhe hetuesit kanë bërë thirrje për paraqitjen e dëshmitarëve, sidomos të atyre që kanë regjistruar ngarjen me video dhe më pas e kanë postuar në median sociale.

“Kemi gjashtë viktima me plagë thike. Një prej tyre, fatkeqësisht humbi jetën nga plagët,” tha togeri i policisë Frank Jang në një konferencë për shtyp të transmetuar nga televizioni kanadez.

“Besojmë se personi i ndaluar ishte autori i sulmit. Pa dyshim duam të dimë shkakun,” tha togeri gjatë komenteve para bibliotekës ku ndodhi incidenti.

Nuk janë ofruar hollësi për të dyshuarin, por togeri tha se personi ka një të kaluar kriminale.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau komentoi përmes Twitterit duke thënë se të gjithë kanadezët janë me mendje pranë të plagosurve nga ky sulm./VOA