Policia Rrugore e kishte identifikuar si “njollë të zezë” për sigurinë rrugore vendin ku ndodhi aksidenti i të shtunës, me dy viktima dhe dy të plagosur. Ndërprerja e mbrojtëseve anësore pranë Malit të Robit, në autostradën Plepa-Golem, ishte konsideruar si e rrezikshme. Për këtë arsye, Drejtoria e Policisë Rrugore kishte kërkuar mbylljen e këtij kalimi, me anë të një shkrese drejtuar Autoritetit Rrugor Shqiptar. Por kjo shkresë nuk ishte marrë në konsideratë nga kjo drejtori, që varet nga Ministria e Transporteve.

“Policia rrugore e Kavajës ka bërë shkresat përkatëse, ka tentuar pranë Autoriteti Rrugor Shqiptar për të sinjalizuar këtë anomali dhe anomali të tjera, por i takon organeve të tjera të përmirësojnë sinjalizimet”, ka thënë Mithat Tola, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë Rrugore.

Drejtuesit e Policisë Rrugore thonë se kjo ndërprerje e mbrojtëseve metalike është e paligjshme”, thekson Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Rrugore.

makina

Segmenti rrugor inter-urban kryesor nuk duhet të ndërpritet me rrugën ndihmëse në krahun e djathtë të saj, në mënyrën sikurse është ndërprerë. Por edhe pse Policia Rrugore ka dhënë alarmin kohë më parë, nga Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk ka patur asnjë përgjigje për këtë rast që u bë shkak që dy fëmijë të humbnin jetën dhe një tjetër të plagosej rëndë bashke me nënën e tyre. Shkresa që paralajmëronte ngjarje të tilla të rënda vazhdon dhe mbahet në zyrat e këtij Autoriteti, thjesht si protokoll.

Nëse do të ishte marrë në konsideratë, do të kishte shpëtuar dy jetë njerëzish. Gjatë 4 mujorit kanë ndodhur 655 aksidente në të gjithë Shqipërinë, 80 të vrarë, 132 të plagosur rëndë dhe 619 të plagosur lehtë.

20160509_141045

Intervista e plotë me Drejtorin e Policisë Rrugore, Mit’hat Tola!

Z. Tola, çfarë po ndodh me aksidentet rrugore, sa është numri i aksidenteve për 4 –mujorin dhe shkaqet e aksidenteve.

Mit’hat Tola:

“Aksidentet rrugore si 4 mujor të administruara nga policia rrugore nuk kanë diferencë me 4 mujorin e vitit të kaluar, jemi në po ato shifra, me një rritje pak të lehtë në raport me vitin e kaluar, për shkak të administrimit të sistemit, ku çdo aksident rrugor i cili merr një numër unik, administrohet në sistem në menaxhimin policor të çështjes. Janë gjithësej 655 aksidente rrugore me pasojë plagosjen e lehtë, plagosjen e rëndë dhe vdekjen e personave. Vitin e kaluar kemi pasur diku tek 595 aksidente rrugore, janë diku 50 aksidente më shumë, por për shkak të sistemit. Sikur se e kemi shpjeguar edhe herë të tjera, në Shtator të vitit të kaluar, për shkak të ndryshimit të VKM , çdo aksident që regjistrohet, raportohet në sistem, pavarësisht raportit mjeko- ligjor që merr dhe pavarësisht trajtimit që i bën prokuroria pushimit, pezullimit. Në fund të çdo 2-3 mujori ne jemi të detyruar të bëjmë korrigjimet përkatëse.”

Sa është numri i të vdekurve?

Mit’hat Tola:

“Numri i të vdekurve është 80 persona të vrarë deri në momentin që flasim, 132 persona të plagosur rëndë dhe 619 persona të plagosur lehtë, për të cilët ka filluar procedimi penal. Dosjet i janë dërguar prokurorisë, vazhdojnë hetimet në shkallët e gjyqësorit.”

Kush janë shkaqet determinante të aksidenteve rrugore për këtë 4 mujor ?

Mit’hat Tola:

“Shkaqet e aksidenteve rrugore janë tejkalimi i normave të shpejtësisë, përdorimi i pijeve alkoolike, mosrespektimi i distancës midis mjeteve, mosdhënia e precedencës. Ajo që e rëndon është përdorimi i alkoolit dhe tejkalimi i normave të shpejtësisë, ku ka qenë edhe fokusi kryesor i goditjes së policisë. Ne organizojmë grupe të përqëndruara në akset kryesore, në afërsi të lokaleve aty ku fluksi i automjeteve është më i madh dhe rezultatet kanë qenë parandaluese dhe të mira. Për të gjithë drejtuesit të cilët përdorin alkool, ose ka pezullim të lejes së drejtimit ose përgatitet dosja penale në momentin që drejtuesi i mjetit e kalon atë normën e lejuar nga kodi rrugor dhe kodi penal.”

Duke marrë shkas nga aksidenti i dy ditëve më parë, një aksident tragjik ku humbën jetën dy fëmijë, mund të na sqaroni nga hetimet e deritanishme, kush janë shkaqet e aksidentit? Pretendohet se aty është hapur një rrugë në mënyrë të paligjshme duke munguar barrierat dhe madje edhe në akse të tjera nacionale, si Rruga e Kombit është konstatuar se mungojnë këto barriera.

Mit’hat Tola:

“Për aksidentin në fjalë, të ndodhur para dy ditësh në aksin rrugor Rrogozhinë- Kavajë, në vendin e quajtur Qeret, policia rrugore së bashku me organin e prokurorisë ka shkuar, ka administruar në vendngjarje, ka referuar në prokurori të gjithë elementët e aksidentit dhe është organi i prokurorisë që do të bëjë hetimet më të thelluara për të gjithë elementët, për të gjithë të përfshirët, për drejtuesen e mjetit, për tejkalimin e shpejtësisë, përdorimin e celularit, për elementët mbrojtës të rrugës, çfarë i mungonte, çfarë nuk i mungonte. Pjesa e hapur e rrugës ka qenë e parashikuar në projekt dhe unë nuk mund të shprehem në moment. Është organi i prokurorisë ai që ka administruar vendin e ngjarjes, fotografitë përkatëse, videot përkatëse, të gjithë elementët. Të pranishëm në vendngjarje kanë qenë specialistë të drejtorisë së policisë rrugore, ka qenë prokurori i Kavajës bashkë me oficerët e policisë gjyqësore dhe unë besoj se hetimi do të jetë tërësor. Më lejoni të them, se shpesh herë mungesa të tilla në akset rrugore sikurse është ky aksident, ose aksidenti që ndodhi para një muaji po në këtë segment rrugor, në Gosë të Kavajës, ku një mur mbrojtës i një ure mungonte shkaktoi tre të vdekur. Pra, ne arrijmë të administrojmë aksidente rrugore ku shpesh herë nuk janë aksidente klasike. Rruga duhet të ketë elementë mbrojtës që t’ia fal gabimin drejtuesit të mjetit gabon në një moment të caktuar dhe nuk dua t’ia përkeqësoj. Ne vumë re që fëmija i parë, i cili fatmirësisht ishte i lidhur në sedilje, ndërsa dëmtimet që ndodhën te fëmijët e tjerë, ndodhën për shkak të këputjes së guard rail-sit, futjes në makinë nga mosmarrja e masa mbrojtëse në pjesën ku ai ishte vendosur. Një guard rail-s i cili nuk duhet të ishte në atë formë që është, pra nuk i kishte të gjithë elementët mbrojtës të rrugës.”

Në cilësinë e ekspertit dhe aq sa ju shquani, në këtë rrugë, a ka mungesë të elementëve të sigurisë?

Mit’hat Tola:

“Aty normalisht segmenti rrugor interurban kryesor nuk duhet të ndërpritet me rrugën ndihmëse në krahun e djathtë të saj, në atë mënyrë sikurse është ndërprerë. Është burim aksidenti, është rrezik i shtuar. Policia rrugore e Kavajës, komisariati i policisë, ka bërë shkresat përkatëse, ka tentuar pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar për ta sinjalizuar për këtë anomali dhe për anomali të tjera, por i takon organeve të tjera të marrin vendime, autoritetit rrugor ta përmirësojë sistemin e sinjalizimit. Ajo që mund të bëjmë ne është të sinjalizojmë, të fotografojmë, të ndërhyjmë në raste ekstreme, të bllokojmë, të vendosim shërbime të policisë rrugore që të mos ndodhin aksidente të tilla.” 

A duhet të ketë koordinim më të mirë mes institucioneve ligjzbatuese në rastin e sigurisë rrugore, sidomos në këtë aks ku aktualisht shënohen 5 viktima?

Mit’hat Tola:

“Në qoftë se të gjithë do ta bëjnë punën që bën policia rrugore dhe Ministria e Brendshme, unë besoj se numri i aksidenteve nuk do të ishte i tillë. Policisë rrugore i takon sistemi i kontrollit policor në gjithë skemën e menaxhimit, një pjesë shumë e vogël, një 10 %.  Pjesa tjetër është inxhinieria e rrugëve, është ndihma, edukimi, janë aktorë të tjerë. Me 10 për qind sa bën policia rrugore unë besoj që bën goxha shumë. Ndërkohë që mundohemi të bëjmë edhe pjesën tjetër,ne jemi të pranishëm në edukimin rrugor, çojmë punonjësit e policisë përtej orareve të zgjatura që ata kryejnë në shërbim, shkojnë edhe nëpër shkolla. Por duhet dhe të tjerët ta ndjekin ritmin e policisë së shtetit dhe policisë rrugore me qëllim që çfarë është për tu vendosur në rrugë të vendoset.”

A ka akse të tjera ku mungojnë barrierat mbrojtëse dhe janë burim aksidentesh të cilat ju i keni referuar?

Mit’hat Tola:

“Në ato segmente rrugore do të doja të evidentoja faktin se ne i quajmë autostrada, rruga nga Levani në Vlorë që është pjesë autostradë, autostrada e Kombit, pjesa tjetër nga përfundimi i zonës së Krujës që është një pjesë autostrade deri tek rrethrrotullimi i Milotit, mungon pjesa mbrojtëse me rrjetë e përcaktuar në kodin rrugor, që të mos lejojë futjen e këmbësorëve. Aksidenti para dy ditëve me një 75 vjeçar në zonën e autostradës, pjesës Laç- Lezhë, u shkaktua nga futja e këmbësorëve në orët e vona të natës dhe ndodhi aksidenti fatal. Futja e kafshëve në autostrada bën që drejtuesit e mjetit që udhëtojnë me shpejtësi të konsiderueshme, të përfshihen në aksidente me pasojë. Të gjitha këto elementë të rrugës, të pambyllura, të parregulluara bën që ne të përfshihemi në aksidente rrugore, që ndoshta nuk do të ishin në inventarin e policisë.”

A po determinon mungesa e elementëve të sigurisë në rritjen e numrit të aksidenteve rrugore?

Mit’hat Tola:

“Aksidentet rrugore na ndodhin edhe nga mungesa e elementëve të sigurisë, edhe nga mungesa e ndërhyrjes së policisë rrugore. Mjafton t’u përmend faktin e mungesës akoma të pajisjes së çiklomotorëve me leje drejtimi. Ndonëse në kodin rrugor u parashikua, procedurat burokratike për t’i pajisur autoshkollat, për të pajisur drejtuesit e çiklomotorëve me leje drejtimi e pengon shpesh herë policinë rrugore të kryejë një kontroll tapet mbi këta drejtues. Drejtuesi i çiklomotorit akoma sot është si drejtues biçiklete, që ti nuk e ke të identifikuar që t’i vësh gjobë, pra të fillosh ta disiplinosh. Elementi tjetër nga statistikat tregon se janë këmbësorët ata që përfshihen, pothuaj rreth 30 për qind të aksidenteve rrugore e bën që ne ta korrigjojmë atë shënjestrën, bën që ne të fillojmë t’i konsiderojmë në fokus të ndëshkimit administrativ edhe këmbësorët sepse pothuaj 50 – 60 për qind e fajësisë në aksidentet rrugore shkon në dëm të këmbësorit, të cilët kalojnë vend e pa vend rrugën, pa respektuar sistemin e sinjalizimit, vendkalimet dhe kujdesin maksimal që ata duhet të kenë në ruajtjen e jetës së tyre.”

Tv Klan